Hayati Nupus
04 shkurt 2021•Përditësim: 04 shkurt 2021
Në qytetin e dytë më të madh të Mianmarit, Mandalay, sot shpërthyen protesta në rrugë, si përgjigje e parë pas grusht shtetit të ushtrisë në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Të paktën 20 studentë dhe aktivistë u mblodhën pranë Universitetit të Mjekësisë në Mandalay për të protestuar kundër ushtrisë që organizoi grusht shteti duke rrëzuar qeverinë civile.
Ata u shpërndanë pas 20 minutash duke mbajtur në duar pankarta dhe duke brohoritur kundër grusht shtetit ndërsa protestat gjithashtu u transmetuan drejtpërdrejt në Facebook.
Një student i universitetit, midis pjesëmarrësve në protesta tha për AA se 5 persona janë ndaluar nga policia.
“Tre janë studentë të universitetit dhe banorë të Mandalay. Dy janë aktivistë të rinj nga rajone të tjera”, tha ai përmes telefonit në kushte anonimiteti.
Kjo është protesta e parë e rezistencës që kur ushtria organizoi grusht shtetin të hënën.
"Ne nuk e njohim regjimin e ri. Kundërshtojmë me forcë grusht shtetin ushtarak”, tha ai.
“Ne thjesht treguam një rezistencë jo të dhunshme. Sot protestuam paqësisht, por kolegët tanë u arrestuan pas protestës. Regjimi ushtarak po tregon fytyrën e tij të vërtetë”, tha ai.
Protestat u transmetuan drejtpërdrejt në Facebook, platforma më e famshme e mediave sociale me mbi 22 milionë përdorues në Mianmar.
Këshilli Administrativ Kombëtar, i kryesuar nga shefi i ushtrisë Min Aung Hlaing, ndaloi përdorimin e Facebook-ut duke filluar nga sot. Ai urdhëroi të gjithë operatorët mobil, operatorin më të madh të telekomit në vend dhe serverët privatë të internetit të ndalojnë hyrjen në faqen e mediave sociale deri më 7 shkurt.
Megjithatë, qytetarët në Mianmar ende kanë qasje në të përmes aplikacioneve virtuale të rrjeteve private.
- "Nuk kemi nevojë për diktaturë", ka thënë një banor i Yangon-it
Banorët në Yangon, qyteti më i madh në Mianmar, gjithashtu treguan pakënaqësi publike kundër puçit ushtarak që rrëzoi qeverinë e Aung San Suu Kyi duke goditur enët e kuzhinës dhe duke u rënë borive në makina.
Disa prej tyre postuan video të tyre dhe banorëve të ndryshëm duke goditur enët e gatimit në mënyrë të përsëritur dhe duke brohoritur parulla kundër grusht shtetit nga ballkonet ose oborret e shtëpive të tyre.
Ata gjithashtu vendosën hashtagët "Save Myanmar" dhe "VoiceOutforDemocracy" në postimet e tyre.
"Ne treguam rezistencën tonë të padhunshme kundër akteve ushtarake duke goditur tenxheret ose tiganët. Kjo gjithashtu është mënyra jonë që të tregojmë mbështetje për demokracinë", shkroi një përdorues në Twitter.
“Ne nuk duam të na kthehen ato ditë kur na ishin verbuar sytë. Ne duhet të luftojmë për të ardhmen. Ne nuk kemi nevojë për diktaturë", shkroi Yaw Seing Paing në Twitter.
Goditja e kavanozave prej kallaji ose metali është një traditë e Mianmarit për të larguar karmën ose të keqen.
Një numër i banorëve të Yangon-it gjithashtu i binin borive në makinat e tyre ndërsa disa të tjerë këndonin himnin mbarëkombëtar.
Ushtria e Mianmarit rrëzoi udhëheqësen "de facto" të vendit Aung San Suu Kyi, me anë të grusht shtetit pa gjak të hënën, duke arrestuar atë dhe anëtarët e tjerë të lartë të partisë së saj në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokracinë (NLD).
Grusht shteti u zhvillua disa orë para seancës së parë të parlamentit të ri të vendit, i cili ishte paraparë të mblidhej pas zgjedhjeve, nëntorin e kaluar në të cilën partia e Suu Kyi korri fitore të madhe.
Ushtria pretendon se grusht shteti u bë për shkak të "mashtrimit në zgjedhje", që rezultuan në dominimin e NLD-së në parlament.