Lejla Biogradlija
19 Korrik 2024•Përditësim: 19 Korrik 2024
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, diskutoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit në fushën ushtarake me Rusinë, transmeton Anadolu.
Agjencia Qendrore e Lajmeve të Koresë së Veriut (KCNA) njoftoi se Kim ka pritur në takim delegacionin ushtarak rus që vizitoi kryeqytetin Phenian, të udhëhequr nga zëvendësministri i Mbrojtjes, Alexei Krivoruchko.
Në lajm u bë e ditur se Kim dhe Krivoruchko theksuan rëndësinë dhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit ushtarak midis Koresë së Veriut dhe Rusisë për të mbrojtur interesat reciproke të sigurisë.
Në takimin të cilin u zhvillua pas vizitës së fundit të presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut, Kim ka theksuar se ushtritë e të dy vendeve duhet të "bashkohen më fuqishëm" për të përmirësuar marrëdhëniet.
- Vizita e Putinit në Korenë e Veriut
Putin më 19 qershor zhvilloi një vizitë zyrtare në Korenë e Veriut, ndërsa midis palëve u nënshkrua "Marrëveshja gjithëpërfshirëse e partneritetit strategjik".
Presidenti rus Putin deklaroi se marrëveshja premtonte se pala tjetër do të ofronte ndihmë ushtarake nëse njëra nga palët sulmohej, por ai shmangu përdorimin e fjalës "aleancë".
Lideri i Koresë së Veriut Kim, nga ana tjetër, e përshkroi marrëveshjen si një "pakt" dhe theksoi se marrëdhëniet ishin ngritur në nivelin e një "aleance të lartë".