Bota

Kremlini kritikon sanksionet e reja anti-ruse

Sipas Peskov-it, Kremlini i konsideron kufizimet e reja si një "ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë", ndërsa arsyet për paraqitjen e tyre i quan "akuza absurde"

Elena Teslova   | 03.03.2021
Kremlini kritikon sanksionet e reja anti-ruse

Moskë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka kritikuar sanksionet e reja të Bashkimit Evropian (BE) dhe SHBA-së kundër Rusisë lidhur me helmimin e pretenduar të figurës ruse të opozitës, Alexey Navalny, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas Peskov-it, Kremlini i konsideron kufizimet e reja si një "ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë", ndërsa arsyet për paraqitjen e tyre i quan "akuza absurde".

"Ato (sanksionet) nuk janë gjë tjetër veçse ndërhyrje në punët e brendshme të Rusisë. Në përgjithësi, ne vetëm mund të shprehim keqardhjen tonë se kundërshtarët tanë në këtë rast përdorin metoda të tilla, të cilat kanë një ndikim absolutisht shkatërrues në marrëdhëniet dypalëshe. Ne çdo kufizim të tillë e konsiderojmë absolutisht të papranueshëm, sepse ato dëmtojnë ndjeshëm marrëdhëniet që tashmë janë në gjendje të mjerueshme, në këtë rast, marrëdhëniet me SHBA-në dhe marrëdhëniet me BE-në", tha Peskov.

Ai po ashtu theksoi se sanksionet kundër shefave të zbatimit të ligjit thjesht përsërisin legjislacionin ekzistues rus, duke i ndaluar ata të kenë llogari dhe pronë jashtë vendit.

"Homologët amerikanë me një shkallë të lartë të probabilitetit pretendojnë se helmimi dyshohet se ka ndodhur dhe se FSB (Shërbimi Federal i Sigurisë Ruse) qëndron pas helmimit. Nëse homologët amerikanë kanë ndonjë argument konkret, atëherë, sigurisht në interesin e zbulimit të rrethanave, duhet t'i ndajnë këto argumente me ne", u shpreh Peskov.

Ai po ashtu premtoi se "përgjigja do të jetë çfarëdo që i përshtatet më mirë interesave të Rusisë".

Dje, BE-ja vendosi sanksione kundër katër shtetasve rusë në lidhje me situatën rreth opozitarit Navalny, respektivisht për helmimin e tij të pretenduar dhe më tej edhe burgosjen.

Pas BE-së, edhe SHBA-ja njoftoi vendosjen e sanksioneve kundër 14 organizatave dhe shtatë individëve, si dhe kufizime të eksportit dhe vizave.

Një gjykatë në Moskë dënoi Navalny-n me dy vite e tetë muaj burg për shkelje të lirimit me kusht. Ai në muajin janar u arrestua në Moskë pas kthimit nga Gjermania ku kishte marrë trajtim pas helmimit të pretenduar nga agjentët rusë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın