Sinan Polat,Tevfik Durul
26 Maj 2016•Përditësim: 27 Maj 2016
ISE (AA) - Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe deklaroi se kanë arritur marrëveshje që brenda vitit 2016 me Francën, Gjermaninë dhe Italinë të nënshkruhet Marrëveshje për Partneritet Ekonomik/Marrëveshje për Tregti të Lirë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në konferencën për media në Ise-Shima ku po organizohet Samiti G7, Abe bëri të ditur se kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët.
Duke theksuar se këtë vit synojnë nënshkrimin e një marrëveshjeje të gjerë, të një shkalle të lartë dhe të drejtë, Abe njoftoi se ua ka përcjellur instruksionet negociuesve të palëve në lidhe me çështjen në fjalë.
Sipas tij, marrëveshja e cila do të nënshkruhet nuk duhet të mjaftohet duke u sjellur dobi vetëm dy palëve, por duhet të ketë kuptimin e një rritjeje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për ekonominë globale. Ai shtoi do të vazhdojnë të jenë në bashkëpunim me liderët e G7-ës në lidhje me synimet në fjalë.

- Samiti filloi me vizitën e tempullit
Samiti G7, i cili i sjell në një vend liderët e shtatë shteteve të industrializuara, po organizohet në mikpritjen e Japonisë në Ise-Shima.
Pas pritjeve zyrtare në mëngjes, liderët e vizituan Tempullim e Madh të Ise-s që ndodhet në këtë qytet.
Abe, si lider i shtetit nikoqir të Samitit, e priti secilin lider para hyrjes së tempullit. Më pas, liderët hynë në tempull duke e kaluar urën e drurit nën udhëheqjen e personelit të veshur me rroba të bardha. Urën i fundit e kaloi presidenti amerikan Barack Obama i cili u shoqërua nga kryeministri Abe.
Liderët në anën tjetër të urës i shoqëruan fëmjët në ceremoninë e mbjelljes së pemëve.
Në tempullin ku besimi Shinto ka rëndësi të madhe gjendet edhe varri i paraardhëses së familjes perandorke e cila konsiderohet si perëndeshë. Tempulli i cili llogaritet vend adhurimi në ditë të posaçme vizitohet nga familja mbretërore dhe zyrtarët shtetërorë.
Duke potencuar se vizita e tempullit nuk ka konotacion fetar, zyrtarët japonez thanë se vizita e tempullit kishte synim që liderët ta ndiejnë atmosferën në të dhe ta njohin nga afër besimin japonez.
Pas vizitës së tempullit, programi vazhdoi me drekën e punës. Pas drekës, u prezantuan produktet japoneze të avancuara teknologjike, në mesin e të cilave edhe automjetet pa shofer dhe me celula djegëse.
Kryeministri i Italisë Matteo Renzi, presidenti kanadez Justin Trudeau, kryetari i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk bënë vozitje testuese në makinat pa shofer.