Sinan Doğan
16 Tetor 2023•Përditësim: 16 Tetor 2023
Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro deklaroi se do të dërgojnë ndihma humanitare në Gaza, transmeton Anadolu.
Në llogarinë e tij në rrjetet sociale X, Petro tha se do të dërgojnë ndihma humanitare në Gaza dhe do të takohen me zyrtarët e Egjiptit për mbështetje.
Ai bëri thirrje për takim të jashtëzakonshëm të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. "Më në fund, Bashkimi Evropian (BE) i kujton Izraelit ligjin ndërkombëtar. Sulmet sistematike kundër civilëve janë të ndaluara. Gjenocidet janë të ndaluara. Personeli shëndetësor dhe spitalor duhet të mbrohet. Kërkesat minimale për jetën duhet të mbrohen", tha Petro.
- Mbështetje nga Kolumbia për Palestinën
Petro kritikoi reagimin e Izraelit ndaj sulmit të Hamasit.
Duke postuar në llogarinë e tij në rrjetet sociale fotot e fëmijëve palestinezë që u vranë si pasojë e sulmeve izraelite, Petro tha: "E vetmja mënyrë që fëmijët palestinezë të flenë të qetë është që fëmijët izraelitë të flenë në paqe. E vetmja mënyrë për fëmijët izraelitë të flenë në paqe është që fëmijët palestinezë të flenë të qetë".
- Konflikti Izrael-Palestinë
Brigadat Izzeddin Kassam, krahu i armatosur i Hamasit, mëngjesin e 7 tetorit njoftoi nisjen e sulmit gjithëpërfshirës të emëruar "Tufani i Aksa-së" kundër Izraelit.
Nga Gaza në drejtim të Izraelit u lëshuan mijëra raketa ndërsa grupet e armatosura palestineze kryen bastisje dhe morën kontrollin e pikës kufitare Beit Hanoun-Erez në kufirin Gaza-Izrael.
Grupet e armatosura më pas hynë në vendbanimet izraelite ndërsa ushtria izraelite filloi sulme ndaj Rripit të Gazës me dhjetëra avionë luftarakë. Në sulmet e kryera nga Gaza kanë humbur jetën 1.300 izraelitë ndërsa janë plagosur 3.436 të tjerë.
Ministria palestineze e Shëndetësisë ka njoftuar se në sulmet e Izraelit në Gaza janë vrarë 2.670 palestinezë ndërsa janë plagosur 9.600 të tjerë.
Në sulmet e ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj në Bregun Perëndimor të pushtuar janë vrarë 56 palestinezë dhe janë plagosur rreth 619 të tjerë.
Gjithashtu në sulmet e Izraelit kanë humbur jetën 10 gazetarë, prej të cilëve 9 në Gaza dhe një në Liban.