Pakistani dhe Malajzia diskutojnë mbi planin e Trumpit për armëpushim në Gaza
"Ne e shohim së bashku me sy të mirë iniciativën e paqes prej 20 pikash nga presidenti amerikan", tha kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim në konferencën me homologun pakistanez në Kuala Lumpur

Karaçi
Udhëheqësit pakistanezë dhe malajzianë diskutuan të hënën një sërë çështjesh kyçe rajonale dhe globale, përfshirë planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për armëpushim në Rripin e Gazës, vendosjen e paqes në Azinë Jugore dhe përpjekjet e përbashkëta kundër terrorizmit, transmeton Anadolu.
"Ne e shohim së bashku me sy të mirë iniciativën e paqes prej 20 pikash nga presidenti amerikan Donald Trump", tha kryeministri malajzian, Anwar Ibrahim gjatë një konference të përbashkët për media së bashku me homologun e tij pakistanez Shehbaz Sharif në Kuala Lumpur.
Sharif ndodhet për një vizitë shtetërore tre-ditore në Malajzi.
Të dy udhëheqësit zhvilluan bisedime para konferencës për media, raportoi televizioni shtetëror pakistanez.
"Edhe pse Malajzia shpreh disa shqetësime, të paktën në pikën e ndërprerjes së armiqësive, ndalimit të bombardimeve dhe vrasjeve të çmendura nga regjimi sionist izraelit, një qëndrim i qartë është marrë nga vendet arabe, vendet muslimane dhe shumica e vendeve në botë tani", tha Anwar.
Duke shprehur shpresën për paqe në enklavën e shkatërruar nga lufta, Anwar tha se është "jashtëzakonisht mirënjohës" për qëndrimin e Pakistanit për çështjen e Gazës.
"Qëndrimi ynë i përbashkët në mbështetjen e kësaj iniciative paqeje ndoshta do ta ndihmonte më tej këtë dëshirë për të arritur paqe të qëndrueshme", shtoi ai.
Plani 20-pikësh i Trumpit përfshin lirimin e të gjithë pengjeve izraelite, shpërbërjen e Hamasit, rrjedhën e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës dhe transferimin e kontrollit të enklavës në një administratë të përkohshme të udhëhequr nga teknokratë palestinezë dhe ekspertë ndërkombëtarë.
Lidhur me çështjet rajonale, Anwar tha se diskutoi me Sharifin mbi vendosjen e paqes në nënkontinent dhe gjithashtu përpjekjet e përbashkëta për të luftuar terrorizmin.
Sharif tha se vendi i tij dëshiron të "bashkohet" reciprokisht me Malajzinë për projekte të dobishme, të cilat lejojnë që përvojat nga të dy vendet të bashkohen.
"Sot, dua ta bëj të ditur publikisht se Pakistani dëshiron të bashkohet me Malajzinë, jo vetëm për të përfituar nga përvoja juaj, por edhe për të pasur sipërmarrje të përbashkëta dhe projekte të dobishme reciprokisht ku përvoja malajziane dhe pakistaneze mund të bashkohen", tha ai.
Ai tha se të dy palët patën "diskutime shumë produktive" mbi një gamë të gjerë çështjesh që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe dhe çështje të tjera ndërkombëtare.
Sharif potencoi se Pakistani do të përfitojë nga përvoja malajziane në teknologji, inteligjencë artificiale dhe fusha të tjera të rritjes ekonomike ku Malajzia ka ecur "jashtëzakonisht mirë".
Anwar tha se Malajzia ka rritur importin e orizit nga Pakistani ndërsa ka pasur edhe një interes për importimin e mishit.