Ayhan Şimşek
14 dhjetor 2023•Përditësim: 15 dhjetor 2023
Autoritetet gjermane kanë arrestuar disa anëtarë të Hamasit për plane të dyshuara për të kryer sulme kundër institucioneve izraelite në Evropë, transmeton Anadolu.
Zyra e Prokurorit Federal tha se tre nga të dyshuarit kishin lidhje të ngushta me krahun ushtarak të Hamasit, Brigadat Qassam.
“Abdelhamid Al A., Mohamed B., Ibrahim El-R dhe Nazih R. kanë qenë anëtarë të Hamasit prej vitesh dhe kanë marrë pjesë në operacione të jashtme të shoqatës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Prokurorit Federal.
Sipas prokurorëve, të dyshuarit kanë marrë udhëzime nga kuadrot e udhëheqjes së Hamasit në Liban dhe në muajin tetor kanë filluar përgatitjet për sulme të mundshme.
Ata dyshohet se kërkuan armë, planifikuan t’i ruajnë në Berlin dhe i mbanin gati për sulme kundër institucioneve hebraike në Evropë.
Një tjetër i dyshuar gjithashtu u arrestua për një kohë të shkurtër nën dyshimin për ofrimin e mbështetjes për grupin Hamas.
Prokurorët nuk thanë nëse autoritetet gjetën ndonjë armë apo plane konkrete për një sulm gjatë bastisjeve të kryera gjatë ditës së sotme.
Tre nga të dyshuarit u arrestuan në Berlin pas bastisjeve të policisë, ndërsa i dyshuari i katërt, shtetas holandez, u ndalua në Roterdam me një urdhër arresti evropian.