Agim Sulaj
14 dhjetor 2023•Përditësim: 15 dhjetor 2023
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Ligjin për Buxhetin e vitit 2024, prej 3 miliardë e 314 milionë eurove, raporton Anadolu.
Buxheti u miratua me 63 vota të deputetëve nga shumica parlamentare, ndërsa deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm gjatë këtij votimi.
Pas miratimit të buxhetit, kryeministri Albin Kurti nëpërmjet rrjeteve sociale tha se buxheti po miratohet në kohë për të tretin vit me radhë.
Kurti falënderoi "deputetët dhe deputetet e Kuvendit të Republikës për votën, kontributin dhe mbështetjen e tyre".
“Me këtë buxhet të përgjithshëm prej mbi 3.3 miliardë euro, që është për 35 për qind më i lartë se buxheti që gjetëm në vitin tonë të parë të qeverisjes, po vazhdojmë që ta forcojmë mbrojtjen e Republikës, rrisim sigurinë, nxisim punësimin në tregun e punës, shtojmë kujdesin për familjet, mbështesim reformat që kemi filluar dhe mundësojmë zhvillimin e mëtejmë ekonomik dhe ngrisim mirëqenien e qytetarëve në vend”, shkroi Kurti.
Qeveria e Kosovës më 30 tetor e kishte miratuar projektligjin për buxhetin e vitit 2024.