Barış Gündoğan
17 Korrik 2018•Përditësim: 17 Korrik 2018
ANKARA (AA) - Ushtria turke ka neutralizuar tetë terroristë përmes një operacioni ajror në veri të Irakut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi të Shtatmadhorisë së Turqisë në rrjetin social Twitter, operacioni ajror i forcave turke ndaj objektivave terroriste është realizuar në rajonet Hakurk dhe Metina.
Në mesin e tetë terroristëve të neutralizuar gjendeshin edhe katër terroristë për të cilët është zbuluar të kenë qenë të përfshirë në martirizimin e tre ushtarëve turq më 31 maj të këtij viti.
Operacionet ajrore mbi objektivat e PKK-së në veri të Irakut, ku grupi terrorist ka bazën e vet kryesore në malin Kandil pranë kufirit iranian, janë kryer rregullisht që nga korriku i vitit 2015, kur PKK rifilloi fushatën e saj të armatosur.
PKK cilësohet si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE. Në fushatën terroriste kundër Turqisë, e cila ka zgjatur më shumë se tre dekada, janë vrarë mbi 40 mijë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë.