Bota

Egjipti mbyll kalimin kufitar me Gazën "deri në një njoftim tjetër"

Po të njëjtën ditë, sot, Izraeli mbylli kalimin kufitar Kerem Shalom vetëm për kalimin tregtar të Gazës, edhe atë për të gjitha mallrat përveç ushqimit dhe ilaçeve

Adam Moro  | 17.07.2018 - Përdıtësım : 17.07.2018
Egjipti mbyll kalimin kufitar me Gazën "deri në një njoftim tjetër"

Gaza

GAZA (AA) - Autoritetet egjiptiane thuhet se kanë mbyllur kalimin kufitar Rafah, i cili lidh Rripin e Gazës me Gadishullin e Sinait të Egjiptit “deri në një njoftim tjetër”, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Autoritetet egjiptiane na informuan se që nga e marta kalimi do të mbetet i mbyllur deri në një njoftim tjetër”, tha zyra palestineze e medias në vendkalimin kufitar.

Zyra palestineze nuk dha informacione se kur do të rihapet vendkalimi kufitar., ndërsa autoritetet egjiptiane ende nuk kanë konfirmuar mbylljen e terminalit kufitar.

Po të njëjtën ditë, sot, Izraeli mbylli kalimin kufitar Kerem Shalom vetëm për kalimin tregtar të Gazës, edhe atë për të gjitha mallrat përveç ushqimit dhe ilaçeve.

Javën e kaluar, Izraeli vendosi sanksione të reja ndaj Rripit të Gazës, përfshirë kufizimet në lëvizjen e mallrave dhe një reduktim të zonës jashtë brigjeve të Gazës, ku peshkatarët palestinezë lejohen të bëjnë tregtinë e tyre.

Sipas një deklarate të lëshuar nga ushtria izraelite, kalimi kufitar Kerem Shalom do të mbetet i mbyllur në përgjigje të “sulmeve të balonave zjarrvënës”.

Javët e fundit, aktivistët palesintezë po lëshojnë “balona zjarrvënës” mbi territorin izraelit, si pjesë e tubimeve të vazhdueshme përgjatë rrethojës së sigurisë.

Që nga fillimi i tubimeve më 30 mars, më shumë se 130 protestues palestinezë janë martirizuar dhe mijëra të tjerë janë plagosur nga armë zjarri nga ushtria izraelite.

Protestuesit kërkojnë “të drejtën e kthimit” në shtëpitë dhe fshatrat e tyre në Palestinën historike nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për t’i hapur rrugë shtetit të ri të Izraelit.

Ata gjithashtu kërkojnë t’i jepet fund bllokadës 11 vjeçare izraelite ndaj Rripit të Gazës, gjë e cila ka rrënuar ekonominë e territorit bregdetar dhe ka privuar afërsisht dy milionë banorë nga mallrat bazë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın