Ayhan Şimşek
11 Nëntor 2019•Përditësim: 11 Nëntor 2019
Bashkimi Evropian (BE) mund të aktivizojë mekanizmin formal kontestues të marrëveshjes bërthamore me Iranin nëse Teherani nuk kthehet në pajtueshmëri të plotë me të, paralajmëroi ministri i Jashtëm i Gjermanisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur para gazetarëve në Bruksel përpara një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së, Heiko Maas, tha se evropianët janë "thellësisht të shqetësuar" për veprimet e fundit të Iranit që ka filluar pasurimin e uraniumit në një strukturë nëntokësore.
"Ne duam ta ruajmë marrëveshjen, por Irani përfundimisht duhet të kthehet në përputhje të plotë me marrëveshjen, përndryshe, ne mund të shfrytëzojmë të drejtën e përdorimit të të gjithë mekanizmave që përcaktohen në marrëveshje", theksoi ai.
Maas tha se ai do të takohet sot më vonë në Paris me homologët e tij francezë dhe britanikë, ku do të diskutojnë hapat e mëtejshëm për t'iu përgjigjur Iranit për mosrespektimin e marrëveshjes.
Gjermania, Franca dhe Britania, tre palët e BE-së në marrëveshjen bërthamore, deri më tani kanë qëndruar larg nga përdorimi i mekanizmit formal kontestues, nga frika se kjo mund të çojë në një kolaps të plotë të marrëveshjes historike.
Irani filloi të reduktojë angazhimet e tij ndaj marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 në shenjë hakmarrjeje për tërheqjen e njëanshme të SHBA-së nga marrëveshja midis Teheranit dhe pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, plus Gjermanisë dhe BE-së.