Elena Teslova
11 Nëntor 2019•Përditësim: 11 Nëntor 2019
Rusia ka deklaruar se është “e shqetësuar për zhvillimin dramatik të ngjarjeve” në Bolivi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë të lëshuar në internet, Ministria ruse e Punëve të Jashtme mbështet presidentin e Bolivisë, Evo Morales, duke theksuar se gatishmëria e qeverisë për të kërkuar “zgjidhje konstruktive përmes dialogut është shtypur nga opozita në një grusht shteti të orkestruar”.
“Ne jemi të shqetësuar nga zhvillimet dramatike në Bolivi, ku vala e dhunës e nxitur nga opozita parandaloi përfundimin e mandatit presidencial të Evo Morales. Ne i bëjmë thirrje të gjitha forcave politike të Bolivisë që të gjejnë një kuptim të përbashkët dhe përgjegjësi, të gjejnë një mënyrë kushtetuese për të dalë nga situata në interes të paqes, qetësisë, rivendosjes së menaxhueshmërisë së institucioneve shtetërore, të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe zhvillimit socio-ekonomik”, tha ministria ruse.
Në një deklaratë tjetër, zëdhënësi presidencial, Dmitry Peskov, u bëri thirrje partive në Bolivi që të gjejnë një zgjidhje në përputhje me ligjin, si dhe paralajmëroi aktorët globalë kundër ndërhyrjes.
“U bëjmë thirrje të gjithëve të qetësohen, shpresojmë që zhvillimi i mëtejshëm i situatës në Bolivi të jetë në kuadër të ligjit. Dhe, sigurisht, shpresojmë që populli i Bolivisë të vendos për fatin e tyre, pa ndërhyrjen e ndonjë vendi të tretë”, tha Peskov.
Peskov po ashtu theksoi se Moska nuk ka asnjë kontakt me Morales dhe se asnjë zyrtar bolivian nuk ka kërkuar azil politik.
Në zgjedhjet presidenciale të Bolivisë më 20 tetor, Morales fitoi 47,8 për qind të votave, duke siguruar fitore që në raundin e parë. Por, opozita pretendoi mashtrim në zgjedhje, ndërsa disa parti kërkuan nga mbështetësit e tyre të dalin në rrugë.
Pasi opozita bëri thirrje për anulimin e votimit, Morales paralajmëroi se do të ketë zgjedhje të reja, por mbështetësit e opozitës thanë se ata do të vazhdojnë protestat derisa të mbahen zgjedhjet pa të.
Të dielën, në një adresim televiziv, shefi i ushtrisë së Bolivisë, Williams Kaliman, i bëri thirrje Morales të tërhiqet.
Morales tha se ai dha dorëheqje dhe se kundër tij ishte kryer një “grusht shteti”. Ai tha se mori vendimin për të parandaluar ish-presidentin Carlos Mesa-n që të mos japë udhëzime të tjera për mbështetësit e tyre për të sulmuar popullin e Bolivisë.