Şerife Çetin
09 prill 2019•Përditësim: 10 prill 2019
Kryenegociatori i Bashkimit Evropian (BE) për Brexit-in, Michel Barnier, në lidhje me shtyrjen e Brexit-it tha se "Shtyrja duhet të shërbejë për një qëllim. Kohëzgjatja e shtyrjes duhet të jetë në proporcion me objektivin", transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë pas seancës së Këshillit për Çështje të Përgjithshme të BE-së të mbajtur në Luksemburg, Barnier përsëriti se marrëveshja e ndarjes mes BE-së dhe Britanisë nuk është e hapur për negocim.
Barnier vuri në dukje se deklarata politike e cila do të përcaktojë marrëdhëniet e ardhshme mes palëve, mund të ndryshohet në mënyrë që të përfshijë bashkimin doganor, nëse kërkohet nga Britania.
"Ndarja pa marrëveshje nuk do të jetë kurrë preferenca e BE-së. Për ta parandaluar këtë, Britania duhet ta miratojë marrëveshjen", tha Barnier duke nënvizuar se qëllimi i BE-së është ndarje e rregullt.
"Shtyrja duhet të shërbejë për një qëllim. Kohëzgjatja e shtyrjes duhet të jetë në proporcion me objektivin", shtoi Barnier duke theksuar se Britania duhet të deklarojë se çfarë kërkon pikërisht të arrijë me procesin e shtyrjes.
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, javën e kaluar i dërgoi një letër presidentit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, ku ajo i kërkoi shtyrjen e datës së Brexit-it për më 30 qershor. Pas kësaj liderët e BE-së vendosën që të mblidhen nesër në Bruksel për të diskutuar kërkesën e May për shtyrjen e Brexit-it.
Marrëveshja për Brexit-in që May ka arritur me BE-në deri më sot është refuzuar 3 herë në Parlamentin britanik. Sipas dakordimit të fundit të Britanisë me BE-në, data zyrtare e largimit të vendit nga BE u shty nga 29 marsi deri më 12 prill.