Ömer Tuğrul Çam
12 Nëntor 2021•Përditësim: 13 Nëntor 2021
Bashkimi Evropian tha se informacionet lidhur me aktivitetet ushtarake të Rusisë në kufirin me Ukrainën janë alarmante, transmeton Anadolu Agency (AA).
Një nga zëdhënësit e Komisionit Evropian, Peter Stano iu përgjigj pyetjes nëse BE-ja ndan vlerësimin se Rusia ka rritur aktivitetin e saj ushtarak pranë Ukrainës.
Ai tha se BE-ja është fqinje e Ukrainës dhe ndjek nga afër zhvillimet në rajon. Stano tha se grumbullimi i forcave ushtarake ruse në kufirin midis Ukrainës dhe Krimesë, të cilën e aneksoi ilegalisht në pranverë, u diskutua në takimin special të ministrave të Jashtëm të BE-së në prill.
"Që atëherë, BE-ja ka parë se si mund të forcojmë qëndrueshmërinë e Ukrainës", tha Stano.
"Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën. Informacionet që kemi mbledhur deri më tani janë shqetësuese. Ne po diskutojmë situatën me partnerët tanë si SHBA-ja dhe Britania e Madhe dhe si mund të zhvillohen gjërat. Po shikojmë hapat që mund të ndërmarrim me këta partnerë kur është e nevojshme përballë zhvillimeve”, tha ai.
Gjatë takimit të kësaj jave në Washington, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i SHBA-së, Joe Biden kanë diskutuar edhe për çështjen e Ukrainës, ku është potencuar mbështetja për integritetin territorial dhe sovranitetin e këtij vendi.
Ndërkaq pritet që aktivitetet e Rusisë pranë Ukrainës të jenë në rendin e ditës në dy takimet e veçanta të ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të BE-së javën e ardhshme.
Rusia më 6 prill njoftoi se inspektimet e gatishmërisë së ushtrisë ruse për luftë kanë filluar dhe stërvitjet taktike do të mbahen në rajone të ndryshme.
Pas kësaj Rusia grumbulloi forca ushtarake në kufirin e Krimesë dhe Ukrainës ndërsa u tha se numri i ushtarëve rusë të dërguar ishte mbi 100 mijë. Ministria ruse e Mbrojtjes më 22 prill njoftoi se stërvitjet e trupave në rajonet ushtarake jugore dhe perëndimore të vendit përfunduan dhe se do të tërhiqen ushtarët.