Muhammet İkbal Arslan
12 Nëntor 2021•Përditësim: 13 Nëntor 2021
Ministria e Jashtme e Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC) ka reaguar ndaj programit për armatosje që ka filluar Administrata e Qipros Jugore Greke (GCA), transmeton Anadolu Agency (AA).
"Vazhdimi i armatosjes dhe aktiviteteve provokuese të administratës qipriote greke për të kërcënuar vendin tonë nuk i shërbejnë asnjë qëllimi tjetër veç se përshkallëzimit të tensioneve në ishull dhe rajon", thuhet në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e TRNC-së në reagim lidhur me programin që Qiproja greke (GCA) ka filluar për armatosje.
"Prej një kohe administrata qipriote greke ka filluar programin e saj të armatimit pavarësisht se dihet që kjo do të shkaktojë tensione", thuhet në deklaratën në cilën vihet theksi se pala qipriote greke krahas blerjes së mjeteve ajrore pa pilot dhe armëve të rënda, ajo ka rritur në mënyrë të hapur edhe aleancat ushtarake kundër TRNC-së.
"Aktivitetet e armatosjes në fjalë kërcënojnë stabilitetin dhe qetësinë në ishullin tonë dhe në Mesdhe. Vazhdimi i armatosjes dhe aktiviteteve provokuese të administratës qipriote greke për të kërcënuar vendin tonë nuk i shërbejnë asnjë qëllimi tjetër veç se përshkallëzimit të tensioneve në ishull dhe rajon. Për të ruajtur paqen dhe sigurinë e ishullit dhe rajonit tonë, është e rëndësishme që vendet përkatëse t‘i japin fund qasjeve që mbështesin politikën e armatosjes të palës qipriote greke të cilat tejkalojnë qëllimin", thuhet më tej.
Në deklaratë më tej bëhet e ditur se për të gjetur zgjidhje ndaj problemeve që ndikojnë Qipron dhe për të zbatuar masa për krijimin e besimit, TRNC ka dhënë propozime konstruktive dhe është përpjekur të hapë rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit.
"Për sa kohë që GCA vazhdon aktivitetet e saj të armatosjes, është e qartë se TRNC nuk do të hezitojë të marrë masat e nevojshme së bashku me Republikën e Turqisë. Përballë aktivitete të armatosjes së palës qipriote greke, kuptohet edhe një herë rëndësia e garancisë efektive dhe 'de facto' e Turqisë", theksoi ministria në deklaratën e saj.