Şenhan Bolelli
08 Tetor 2017•Përditësim: 09 Tetor 2017
BARCELONË (AA) – Mijëra persona të cilët e mbështesin unitetin kombëtar dhe jetesën e përbashkët në Barcelonë protestuan kundër iniciativës për pavarësinë e Qeverisë Autonome të Katalonjës, në lindje të Spanjës, raporton Anadolu Agency (AA).
Mijëra persona të cilët u tubuan me thirrjen e organizatës joqeveritare të quajtur “Societat Civil Catalana” (Shoqëria Civile e Katalonjës), me flamuj të Spanjës, Katalonjës dhe të Bashkimit Evropian kundërshtuan iniciativat për pavarësi dhe shprehën mbështetjet e tyre për bashkëjetesën, unitetin kombëtar dhe rendin kushtetues.
Protestën e mbështetën edhe Partia Popullore (PP) e Spanjës e cila është në pushtet, Partia Socialiste e Punës (PSC) subjekti kryesor opozitar si dhe partia Ciudadanos e Katalonjës me pikëpamje liberale, e cila është opozita kryesore e Katalonjës.
Në radhën e parë të marshit protestues ishin persona të njohur si ministri i Shëndetësisë së Spanjës Doloros Montserrat, përfaqësuesi më i lartë në administratën autonomone të Qeverisë së Spanjës guvernatori i Katalonjës Enric Millo, shkrimtari peruan, fitues i çmimit Nobel Mario Vargas Llosa dhe ish presidenti i Parlamentit Evropian, Josep Borrell.
Në protestën paqësore e cila vlerësohet si protesta më e madhe e viteve të fundit e mbajtur në rrugët e Barcelonës ku mbështetet uniteti kombëtar, u brohoritën sloganet “Puigdemont (kreu i Katalonjës) në burg”, “Unë jam spanjoll”, “Rroftë Spanja, rroftë Katalonja, rroftë Evropa”.
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social Twitter dha mbështetje për protestën e organizuar, ku ka shkruar se “Ne do ta mbrojmë unitetin e Spanjës, për ta mbrojtur demokracinë, kushtetutën dhe lirinë. Nuk jeni të vetëm”.
Ministri i Shëndetësisë së Spanjës, Monsterrat, i cili është katalonjas, në një deklaratë për gazetarët tha se “Ne si katalonjas do t’i japim fund përpjekjeve për pavarësi. Ne si katalonjas duam që së bashku me spanjollët të ndërtojmë një demokraci të madhe në Katalonjë, pjesët e tjera të Spanjës dhe në Evropë", tha ai.
“Jemi spanjollë dhe këtë do ta mbrojmë deri në fund”
Në fund të protestës e cila zgjati rreth pesë orë, në fjalimet e përfaqësuesve të “Shoqërisë Civile të Katalonjës” u theksua se Qeveria e Administratës Autonome të Katalonjës me insistimin e saj për pavarësi “po bën grusht shtet ndaj demokracisë por që nuk do të lejohet ndarja e unitetit kombëtar të popullit spanjoll dhe katalonjas”.
Dy gra të pensionuara nga Barcelona, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të AA-së thanë: “Ne ndjejmë keqardhje të madhe nga e gjithë kjo që ndodhi. Ne jemi spanjollë dhe këtë do ta mbrojmë deri në fund. Lëvizjet për pavarësi hynë deri në jetën tonë private. Kjo po ndikon edhe në marrëdhëniet tona fqinjësore dhe familjare. Mjaft më”.
Ndërkohë një grup protestuesish fishkëlluan në drejtim të liderit të partisë të së majtës ekstreme Podemos, Pablo Iglesias me sloganet “jashtë”, përderisa ai ishte duke hipur në tren për t'u kthyer nga Barcelona për në Madrid.