Adham Kako
08 Tetor 2017•Përditësim: 08 Tetor 2017
ANKARA (AA) – Rrjeti për të Drejtat e Njeriut në Siri (SNHR) njoftoi se regjimi i Bashar al Asadit në periudhën janar-shtator të këtij viti ka përdorur të paktën 4.784 bomba fuçi në gjithë shtetin, transmeton Anadolu Agency (AA).
SNHR publikoi raportin për muajin shtator lidhur me përdorimin e bombave fuçi të regjimit sirian.
Sipas raportit, si pasojë e 216 bombave fuçi të hedhura nga helikopterët ushtarak të regjimit gjatë muajit të kaluar kanë humbur jetën të paktën 8 civilë prej të cilëve 5 fëmijë dhe 3 gra.
Në raport thuhet se forcat e regjimit në periudhën janar-shtator të këtij viti kanë përdorur të paktën 4.784 bomba fuçi. Në janar janë hedhur 634 bomba të tilla, në shkurt 502, në mars 495, në prill 938, në maj 412, në qershor 1.271, në korrik 224 dhe në gusht 92.
SNHR bën të ditur se regjimi po i përdor bombat fuçi në mënyrë të gjerë dhe sistematike. “Duke kryer veprën penale të vrasjes shkelet neni i 7-të i Statutit të Romës dhe bëhet krim kundër njerëzimit”, thuhet në raport.
Më tej i bëhet thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për zbatimin e sanksioneve serioze kundër regjimit, duke shtuar se vendimet e KS-OKB-së lidhur me Sirinë mbeten vetëm fjalë dhe se KS ka humbur besueshmërinë dhe qëllimin e tij.
Në raport kërkohet që të zbatohet embargo e armëve kundër regjimit në Siri dhe gjykimi i personave dhe institucioneve të cilat ofrojnë mbështetje financiare dhe mbështetje me armë për regjimin e Asadit.
Kostoja 50 dollarë, ndikimi i madh
Regjimi përdor bombat fuçi për shkak të kostos së ulët të prodhimit dhe ndikimit të madh shkatërrues. Regjimi me bomba të tilla zakonisht po merr në objektiv civilët duke tentuar të kryejë vrasjen e një numri të madh të personave.