Një djalë 14-vjeçar është bërë viktima e fundit e dhunës brenda kampeve të refugjatëve Rohingya në rajonin jugor Cox's Bazar të Bangladeshit, raporton Anadolu Agency (AA).
Viktima u identifikua si Ziabur Rahman, djali i Mohammad Arif Ullah, banor i kampit të refugjatëve Kutupalong.
"Djali vdiq të shtunën në mëngjes. Prindërit e tij thonë se ai u rrëmbye pas një përplasjeje më 3 tetor dhe u la i lirë pas disa ditësh në gjendje të plagosur. Ai vdiq sot në një spital në Cox'sBazar", njoftoi Khalilur Rahman Khan për AA, menaxher i kampit.
Khan tha se trupi i tij iu dorëzua familjes pas autopsisë.
Përleshjet midis bandave kriminale në kampet Rohingya filluan javën e kaluar, si pasojë e të cilave deri më tani kanë humbur jetën 9 persona dhe me qindra të tjerë janë plagosur.
Sipas organizatës "Amnesty International", të paktën 2 mijë refugjatë Rohingya janë detyruar të largohen nga strehimoret e tyre në kampe të tjera që kur shpërtheu dhuna midis dy fraksioneve rivale që kërkojnë të kontrollojnë tregtinë e paligjshme të ilaçeve brenda kampeve.
Refugjatët që folën me grupin e të drejtave thanë se dhuna u shkaktua pjesërisht nga një betejë për kontrollin mbi tregtinë e tabletave metamfetaminë, një ilaç rekreativ i prodhuar në Mianmar dhe i kontrabanduar në Bangladesh.
Mbajtja e situatës nën kontroll
Zyrtarët e Bangladeshit thanë se trazirat janë ndalur dhe po zhvillohen bisedime për të ruajtur paqen.
Sipas raporteve në mediat lokale, rreth 16 persona të dyshuar të përfshirë në dhunë u arrestuan të shtunën e kaluar.
"Ne biseduam me përfaqësuesit e Rohingya-ve të shtunën mbi mënyrën se si situata mund të mbahet nën kontroll", tha Mohammad Shamsu Douza për AA, një komisioner për lehtësimin dhe riatdhesimin e refugjatëve.
Ai tha se personeli policor dhe ushtarak po punon me zyrtarë lokalë për të siguruar paqen në kampet që janë shtëpi e rreth 1.2 milionë refugjatëve Rohingya, të cilët u larguan nga Mianmari për t'i shpëtuar goditjes brutale ushtarake.
Ansar Ali, një udhëheqës i komunitetit Rohingya në kampin e refugjatëve Kutupalong, ku dhe ndodhën incidentet e fundit të dhunës, shpjegoi për AA se nga erdhi dhuna në kampet e refugjatëve.
"Ekzistojnë kryesisht dy grupe në kampet e refugjatëve Rohingya në jugperëndim të Cox's Bazar-it të Bangladeshit, ata kontrollohen nga mbrojtësit e tyre në anën tjetër të kufirit në Mianmar. Ata kanë tregtinë e tyre të paligjshme, përfshirë trafikimin njerëzor, skllavërinë seksuale dhe biznesin e drogës. Këtyre dy grupeve po ashtu u janë dhënë armë nga ana e Mianmarit përmes zinxhirit të tyre lokal, ndërmjetësuesve dhe burrave të tjerë në kampet e refugjatëve në Cox's Bazar", tregoi Ali.
Ai theksoi se incidentet e dhunës midis grupeve ndodhin kohë pas kohe për vendosjen e kontrollit mbi ato çështje në kampet e refugjatëve.
"Krime dhe përplasje të tilla kanë rrezikuar refugjatët e pafajshëm Rohingya dhe ato të ndjekur penalisht nga të dy palët, në Mianmar dhe Bangladesh. Ata kriminelë, të mbështetur nga grupe të ndryshme në Mianmar, në fund të fundit punojnë për të krijuar një pamje negative në botë të Rohingya-ve të zhvendosur, në mënyrë që krimet e gjenocidit në Mianmar mbi muslimanët Rohingya të mund të destabilizohen", tha Ali.
Sipas Ro Nay San Lwin, një aktivist për të drejtat e njeriut dhe bashkë-themelues i Koalicionit 'Rohingya të Lirë", ekzistenca e bandave kriminale në kampet e refugjatëve Rohingya është një kërcënim serioz për refugjatët Rohingya dhe Bangladeshin.
"Refugjatët në zonën Kutupalong nuk ndihen më të sigurtë. Shumë u zhvendosën javët e fundit. Ne e kuptojmë se agjencitë e zbatimit të ligjit në Bangladesh po punojnë shumë për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në kampe. Të gjithë kriminelët që janë të përfshirë në këtë dhunë duhet të arrestohen dhe të nxirren para drejtësisë", u shpreh San Lwin për AA.
Por, siç thotë ai, bandat kriminale që janë përfshirë në biznesin e drogës janë të lidhura ngushtë me autoritetet e Mianmarit dhe kontrabandojnë drogën nga atje në Bangladesh.
"Ato përdoren nga autoritetet e Mianmarit për të krijuar kaos në kampe. Shumë njerëz po flasin për këtë. Përderisa Mianmari nuk dëshiron të riatdhesojë refugjatët Rohingya, ata do të bëjnë gjithçka", theksoi San Lwin.
Rohingya, popull i persekutuar
Populli Rohingya, i përshkruar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) si njerëzit më të persekutuar në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmeve, pasi dhjetëra u vranë në dhunën e vitit 2012.
Sipas organizatës "Amnesty International", më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht fëmijë dhe gra, u larguan nga Mianmari dhe kaluan në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit pakicë musliman në gusht të vitit 2017, duke e çuar numrin e njerëzve të persekutuar në Bangladesh në më shumë se 1.2 milionë.
Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Zhvillimit Ontarios (OIDA), që nga 25 gushti i vitit 2017, rreth 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.
Më shumë se 34 mijë Rohingya u hodhën në zjarr ndërsa mbi 114 mijë të tjerë u rrahën, tha raporti i agjencisë OIDA, i titulluar "Migrimi i detyruar i popullit Rohingya: Përvoja e patreguar".
Raporti tha se rreth 18 mijë gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit si dhe mbi 115 mijë shtëpi Rohingya u dogjën dhe 113 mijë të tjera u vandalizuan.