Besar Ademi,Cuneyt Davut
26 Maj 2016•Përditësim: 26 Maj 2016
IDOMENI (AA) - Që nga dita e martë deri më sot autoritetet greke kanë arritur të zhvendosin mbi 8.000 refugjatë nga kampi i improvizuar i refugjatëve në Idomeni drejt kampeve tjera të ndërtuara në veri të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).
Momentalisht vetëm qindra refugjatë kanë mbetur në kamp të cilët pritet të zhvendosen gjatë ditës së sotme.
%2F20160526_2_16914302_10444035.jpg)
Në operacionin për zhvendosjen e refugjatëve ishin të angazhuar mbi 1.000 policë nga dhjetë njësi të ndryshme, të cilët monitoronin operacionin edhe me helikopterë. Gjatë operacionit nuk është lejuar prania e gazetarëve vendas dhe të huaj brenda kampit, por vetëm një numër i kufizuar i organizatave humanitare dhe ndërkombëtare të cilët kanë ndihmuar në procesin e zhvendosjes.
Shumica e refugjatëve kanë pranuar thirrjen e autoriteteve greke për zhvendosjen e tyre në kampe tjera, mirëpo disa refugjatë që refuzuan me arsyetimin se kjo nuk është zgjidhje, por e vetmja zgjidhje është hapja e kufijve, braktisën kampin në këmbë për t'u vendosur në kampet tjera të improvizuara në afërsi të Idomenit.
Në tërë territorin e Greqisë ndodhen mbi 50 mijë refugjatë, ndërsa operacioni në Idomeni është kryer me qëllim që refugjatët të regjistrohen dhe më pas të aplikojnë për azil në Greqi apo në ndonjë vend tjetër evropian, i cili sipas autoriteteve kompetente nevojitet një periudhë më e gjatë.