Mustafa Talha Öztürk
27 Mars 2024•Përditësim: 28 Mars 2024
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se vendin e tij e presin ditë të vështira dhe ka bërë të ditur se së shpejti do ta informojë kombin për sfidat, transmeton Anadolu.
“Serbinë e presin ditë të vështira. Në këtë moment nuk është e lehtë të thuhet se çfarë lloj lajmesh kemi marrë në 48 orët e fundit”, tha Vuçiq në rrjetet sociale, por ka treguar se ka të bëjë me kërcënime të drejtpërdrejta ndaj interesit kombëtar të Serbisë.
“Ata kërcënojnë drejtpërdrejt interesat tona jetike kombëtare, serbëve dhe Republikës Srpska”, tha Vuçiq.
Vuçiq ka bërë komente të ngjashme në të kaluarën kur Bashkimi Evropian (BE) dhe SHBA-ja i bënin presion atij dhe qeverisë serbe që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të lejojnë integrimin e vendit në organizatat ndërkombëtare.
Ministri i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, tha për Radio Televizionin Serb (RTS) se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës do të diskutohet në një takim sot.
Vuçeviq argumentoi se aplikimi shkelte të gjitha rregullat ndërkombëtare.
Ndërkohë, Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) do të takohet me vetëm një pikë në agjendën e tij, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill.
Kosova aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj 2022, pasi Rusia u hoq nga anëtarësimi në Këshill.
Më 24 maj 2023, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës ka njoftuar se ka miratuar kërkesën e Kosovës për anëtarësim dhe ia ka përcjellë APKE-së dhe se një opinion për aplikimin është përgatitur nga ekspertët e APKE-së.
Ndërkohë, masa e fundit e Kosovës që synon përdorimin e dinarit serb në vend ka ndezur një mosmarrëveshje të re në rajon.
Kosova miratoi euron për transaksionet e pagesave me para në dorë më 1 shkurt, pavarësisht shqetësimeve të serbëve etnikë në veri.
Banka qendrore e shpalli vendimin më 18 janar dhe tha se monedhat e tjera përveç euros mund të përdoren në Kosovë vetëm për ruajtje fizike ose llogari bankare.
Vendimi shkaktoi zemërim sepse komuniteti etnik serb në Kosovë kishte përdorur dinarin, monedhën zyrtare të Serbisë fqinje, në institucionet shtetërore dhe tregtare. Shumë serbë vendas kanë një lidhje apo edhe besnikëri ndaj Serbisë.
Palët zhvilluan një sërë takimesh në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Por nga takimet ende nuk ka dalë një zgjidhje apo vendim përfundimtar.