Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka reaguar në lidhje me tensionet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, duke dënuar veprimet e palës kosovare, transmeton Anadolu.
"Dënojmë fuqishëm veprimet e Qeverisë së Kosovës që po përshkallëzojnë tensionet në veri dhe po shtojnë jostabilitetin. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndalojë menjëherë këto masa të dhunshme dhe të rifokusohet në dialogun e lehtësuar nga BE", u shpreh Blinken në një postim në Twitter.
Më herët, në lidhje me ndodhitë reagoi edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili nëpërmjet rrjeteve sociale tha se SHBA dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet kosovare.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë veprimet e vazhdueshme të autoriteteve kosovare për të hyrë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës. Masat e sotme të dhunshme duhet të ndërpriten menjëherë”, shkroi Hovenier.
BE dënon sulmet ndaj patrullave të EULEX-it
Bashkimi Evropian (BE) përmes një deklarate me shkrim gjithashtu ka "dënuar ashpër" përleshjet ku u përfshinë policia e Kosovës dhe protestuesit në veri të Kosovës.
Sipas deklaratës, përleshjet janë iniciuar nga tentativa e kryetarëve të sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale.
"Ne dënojmë fuqishëm sulmet ndaj patrullave të misionit civil të BE-së në Kosovë, EULEX. EULEX-it duhet t'i lejohet të zbatojë mandatin e tij në mënyrë paqësore. Të gjithë duhet të ndërmarrin veprime për të de-eskaluar situatën e tensionuar dhe për të rivendosur qetësinë menjëherë", thuhet në deklaratë.
Gjithashtu, në deklaratën me shkrim thuhet se BE-ja nuk do të pranojë asnjë veprim të mëtejshëm të njëanshëm ose provokues, duke theksuar se duhet t'i jepet prioritet ruajtjes së paqes dhe sigurisë në terren.
"Siç ka deklaruar vazhdimisht BE-ja, zgjedhjet e fundit të pjesshme në veri të Kosovës nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për komunat e përfshira. Një zgjidhje e tillë mund të gjendet vetëm përmes një dialogu real ndërmjet të gjitha palëve kyçe të përfshira, që përfshijnë Kosovën, Serbinë dhe komunitetin serb të Kosovës, nën lehtësimin e BE-së", thuhet në deklaratë.
QUINT: Dënojmë vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale
Në lidhje me incidentet në veri, përmes një deklarate të përbashkët ka reaguar edhe grupi i shteteve të njohura si QUINT, ku bëjnë pjesë SHBA, Franca, Italia, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
"Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, pavarësisht thirrjes sonë për përmbajtje. Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen, të shmangin përshkallëzimin dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in", thuhet në deklaratë.
Në deklaratë gjithashtu dënohen sulmet ndaj EULEX-it në Zveçan, duke shtuar: "Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së Forcave të saj të Armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse".
Presidentja Osmani: Jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen edhe nga koordinimi me aleatët
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në rrjetet sociale ka cituar Nenin e Dytë të Kushtetutës së Kosovës ku thuhet se sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, "ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj".
"Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë. Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë", është shprehur Osmani.
Rama: Të mos ecim më tej në këtë shteg të rrezikshëm dhe të panevojshëm
Në lidhje me ndodhitë ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Përmes një postimi në Twitter, ai shprehet se kjo që po ndodh në Kosovë nuk e ndihmon procesin për normalizim dhe njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë "ku janë angazhuar të tërë miqtë e mëdhenj të Kosovës e të shqiptarëve".
"Unë bashkohem me ta në apelin për të mos ecur më tej në këtë shteg jo vetëm të rrezikshëm, po edhe krejt të panevojshëm sot, kur bota demokratike e ka vendosur në qendër të vëmendjes dialogun, normalizimin, njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë", shprehet Rama.
Policia e Kosovës gjatë ditës njoftoi se ka "asistuar kryetarët e komunave veriore Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të ushtruar të drejtën e tyre në punë, në objektet zyrtare të komunave përkatëse”.
Policia bëri të ditur se në incidentet me banorët lokalë janë lënduar pesë zyrtarë policorë, të cilët më pas u janë kthyer detyrave policore, si dhe janë shkaktuar edhe dëme materiale ndaj katër automjeteve zyrtare.
Situata në Zveçan tani është e qetë, ndërsa pjesëtarët e njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë ende në objekt dhe para ndërtesës së komunës. Në ndërtesën e komunës ndodhet edhe kryetari i ri i Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot me ndihmën e policisë ka hyrë në ndërtesën e komunës
Gjithashtu me ndihmën e policisë, në ndërtesat komunale kanë hyrë edhe kryetarët e komunave të Zubin Potokut dhe Leposaviçit. Në këto tri komuna, autoritetet lokale të Kosovës ndajnë të njëjtat ndërtesa me Autoritetet e Përkohshme të Republikës së Serbisë për ato komuna.