QUINT-i dhe BE-ja reagojnë për mos certifikimin e Listës Serbe
“Çdo veprim i tillë për t’i përjashtuar disa komunitete minon parimet demokratike dhe dëmton besimin ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagim

Prishtinë
Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian (BE) e kanë cilësuar minim të parimeve të demokracisë mos certifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, transmeton Anadolu.
Në një reagim, ambasadat e Gjermanisë, Francës, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, SHBA-së dhe Zyra e BE-së në Kosovë kanë shprehur shqetësim për “përpjekjet nga akterë politikë për ta kufizuar konkurrencën mes partive politike që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit”.
“Çdo veprim i tillë për t’i përjashtuar disa komunitete minon parimet demokratike dhe dëmton besimin ndaj institucioneve të Kosovës”, thuhet në reagim.
Më tej, vendet e QUINT-it dhe BE-ja theksuan se presin që qeveria në detyrë dhe partitë e tjera të përmbahen nga hapat e mëtejmë që pengojnë regjistrimin e partive, si dhe u ka bërë thirrje partive të prekura nga vendimet që të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Anëtarët e KQZ-së në mbledhjen e mbajtur më 21 gusht nuk e certifikuan Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Për certifikimin e Listës Serbe votuan vetëm anëtarja e kësaj partie, Gordana Llaban dhe kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi. Dy anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan kundër certifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, ndërsa abstenimet ishin nga përfaqësuesit e partive të tjera.
Lista Serbe sot bëri të ditur se do të ankohet në PZAP për vendimin e KQZ-së.
Më parë, PZAP e ka rrëzuar një vendim të ngjashëm të KQZ-së për zgjedhjet parlamentare, duke ia mundësuar Listës Serbe pjesëmarrjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.