Zylfije Adem Jakupi
11 korrik 2020•Përditësim: 11 korrik 2020
Sektori civil në Kosovë sot organizoi shënimin e 25-vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës ndërsa zyrtarët e Kosovës kanë dërguar mesazhe mbështetjeje për popullin boshnjak dhe Bosnjë e Hercegovinën, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti deklaroi se gjenocidi në Srebrenicë nuk mund të harrohet kurrë dhe në emër të Qeverisë së Kosovës dhe për nder të viktimave të këtij gjenocidi, ai kërkoi që të mbahet një minutë heshtje në të gjithë Kosovën në ora 13. Kësaj thirrjeje iu përgjigjën edhe qytetarët e pranishëm në Qendrën e Kulturore Informative Boshnjake ku u transmetua një seancë përkujtimore nga Potoçari.
Qendra Kulturore Informative Boshnjake, së bashku me Qendrën për të Drejtën Humanitare të Kosovës dhe Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut organizuan shënimin e 25 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës. Tarik Musiç, menaxheri i Qendrës Kulturore Informative Boshnjake në një prononcim për AA tha se do të mbahet një video-konferencë, në të cilën do të marrë pjesë akademiku Ferid Muhiç dhe ajo do të drejtohet nga Bekim Blakaj, drejtori i Fondit për të drejtën humanitare në Kosovë.
"Ato dy organizata dhe ne donim të organizonim tre ngjarje të ndryshme, kështu që të gjithë u mblodhëm në një vend për t'i ndjekur më mirë. Ne gjithashtu morëm materiale nga Qendra SENSE me seli në Pulla. Ne bashkëpunojmë me ta dhe ata organizojnë me më shumë se 15 organizata joqeveritare në tërë Ballkanin", thotë Musiç.
Ai thotë se shqiptarët bashkëndjejnë dhimbjen e popullit boshnjak. "20 vjet më parë edhe këtu kishte shumë masakra dhe viktima dhe ne të gjithë e dimë mirë, kështu që ne kemi një histori të përbashkët nga regjimi i përbashkët të cilin e përjetuam", thotë Musiç.
Në mesin e të pranishmëve ishte Dzenan Baçevac, banor i Prishtinës. Ai thekson se në Kosovë dihet shumë për gjenocidin në Srebrenicë.
"Sot është 25 vjetori i gjenocidit të Srebrenicës. Dhjetë vjet më parë, unë isha në Srebrenicë, në Potocari, me babanë tim dhe disa të afërm nga Novi Pazari. Kujtimet janë shumë të freskëta dhe mendoj se nuk do ta harroj kurrë atë ditë", thotë Baçevac.
Fondi për të drejtën humanitare në Kosovë, Nisma rinore për të drejtat e njeriut në Kosovë dhe Qendra Kulturore Informative Boshnjake në Prishtinë iu bashkuan Qendrës SENSE për drejtësi tranzicionale dhe organizatave të shoqërisë civile nga Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Mali i Zi në fushatën për shënimin e 25 vjetorit të gjenocidit të Srebrenicës.
Qëllimi i fushatës është të parandalojë mohimin sistematik të krimeve të luftës të kryera në Srebrenicë dhe të kujtojë viktimat e gjenocidit të Srebrenicës.