Zülfiya Yakup
01 Gusht 2019•Përditësim: 02 Gusht 2019
Në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës mbrëmë nga vendi është nisur grupi i parë i haxhinjëve. Këtë vit nga Kosova në haxh shkojnë gjithsej 1.080 haxhinjë, në mesin e të cilëve 370 janë gra, raporton Anadolu Agency (AA).
Haxhinjtë udhëtimin për në Mekë e nisën nga Aeroporti ndërkombëtar "Adem Jashari" në Prishtinë, ndërsa ata i përcollën përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, familjarët dhe miqtë.
Me avionin e parë udhëtuan 216 ndërsa me tjetrin edhe 215 haxhinjë tjerë. Këtë vit nga Kosova në haxh shkojnë gjithsej 1.080 haxhinjë, në mesin e të cilëve 370 gra. Grupi i dytë dhe i tretë nisen më 2 dhe 3 gusht.
Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava i cili kryeson haxhinjtë kosovarë, para nisjes deklaroi se të gjitha përgatitjet për kryerjen e haxhit janë bërë me kohë.
"Them me përgjegjësi të plotë se çdo përgatitje është bërë, gjithçka është në rregull edhe këtë herë dhe unë do të jem pjesë e grupit që do t'i kalojë këto 24 ditë së bashku. Do t’i lutemi Zotit për mirëqenien më të mirë për vendin tonë ”, tha myftiu i Tërnava.
Reshad Hoxhaj për herë të parë shkon në haxh. "Unë i përgjigjem thirrjes së Allahut. Shkoj të kryej një nga ibadetet që Allahu na ka obliguar ta bëjmë. Inshallah e kryejmë sa më mirë, të kthehemi dhe të na pranohet haxhi", tha Hoxhaj.
Hasibe Kasemi për herë të parë shkon në haxh ndërsa në umre ka qenë para 6 vitesh. "Ndihem shumë mirë. E di si është, e di se shumë mirë kemi kaluar në umre. Më parë, nuk kam patur mundësi të shkoj në haxh, por gjithmonë kam dashur të shkoj", thotë Hasibja.
Xhevahire Krasniqi në haxh shkon me bashkëshortin. "Unë dhe burri shkojmë për herë të parë me kënaqësi. Fëmijët na çojnë, ata kanë investuar, por edhe ne pak kemi investuar", tha ajo.
Haxhinjtë nga Kosova pasi t'i kryejnë ritet fetare në Mekë do të vizitojnë edhe Medinen. Haxhinjtë në Arabinë Saudite do të qëndrojnë tre javë. Çmimi i sivjemë për haxhin është 4.150 euro.
Haxhi është një nga pesë kushtet e Islamit, i cili duhet të kryhet të paktën një herë në jetë.