BALLKANI

Ministri i Jashtëm grek vizitë në Shqipëri

Xhaçka dhe Dendias mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, delimitimit të zonave detare, ligjin e luftës që është ende në fuqi në Greqi dhe çështje të tjera

Fatjon Cuka  | 23.05.2022 - Përdıtësım : 23.05.2022
Ministri i Jashtëm grek vizitë në Shqipëri Foto: Ministria e Jashtme e Shqipërisë

Tiranë

Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ndërkohë është takuar me kryeministrin Edi Rama dhe ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama ka pritur në një takim në selinë e Kryeministrisë së Shqipërisë kryediplomatin grek pa praninë e mediave. Ndërkohë, pas takimit, Xhaçka dhe Dendias mbajtën një deklaratë të përbashkët, duke u fokusuar në çështjet e integrimit evropian të Shqipërisë, kufizimit të zonave detare, ligjin e luftës që është ende në fuqi në Greqi dhe çështje të tjera.

Ministrja Xhaçka tha se me ministrin Dendias shkëmbyem mendime në lidhje me përmirësimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi, të cilat sipas saj duhet të vazhdojnë të zhvillohen në frymën e fqinjësisë së mirë, miqësisë midis dy popujve, "në respekt të interesave strategjike, partneritetit të ngushtë në NATO dhe perspektivës së përbashkët evropiane".

"Një tjetër çështje e diskutuar ishte edhe ajo e delimitimit të zonave detare, e cila paraqet interes për të dy vendet tona, pasi lidhet me ushtrimin e sovranitetit territorial dhe të drejtat sovrane në hapësirat detare respektive. Rikonfirmuam dhe njëherë vullnetin tonë për kërkimin e një kompromisi për ta referuar çështjen tek një palë e tretë gjyqësore, siç është Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë", tha ministrja Xhaçka.

Xhaçka theksoi se shpresojnë që vullneti i mirë për të kërkuar një zgjidhje të pranueshme reciprokisht, sipas saj, në një çështje kaq të vështirë sa ajo e hapësirave detare, mund të shërbejë si një shembull i qasjes konstruktive me të cilën dy vendet mund të fillojnë diskutimet edhe për çështje të tjera, "siç është nevoja për të abroguar ligjin e luftës, apo çështja e të drejtave të pronësisë dhe të drejtave të njeriut të komunitetit çam".

"Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar, një partner të rëndësishëm ekonomik dhe tregtar, një vend ku jetojnë një numër i konsiderueshëm bashkatdhetarësh, por që njëkohësisht mbetet partneri e mbështetësi i zëshëm i Shqipërisë në rrugën drejt progresit dhe integrimit evropian. Të dyja vendet kanë vazhduar pandërprerë dialogun dhe bashkëpunimin dypalësh në nivele të ndryshme", tha ajo.

Duke folur mbi procesin e integrimit evropian, ministrja Xhaçka u shpreh se "Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë plotësuar kushtet dhe duke shpresuar në gjetjen e një zgjidhjeje midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, shpresat mbeten akoma për një vendim gjatë presidencës franceze të BE-së".

"Greqia mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut"

Ministri Dendias theksoi se me homologen shqiptare kanë folur për raportet dypalëshe, zhvillimet ndërkombëtare, perspektivën evropiane të Shqipërisë, çështjet e energjetikës dhe luftën në Ukrainë.

Kryediplomati grek u shpreh se Greqia e mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut dhe shtoi se "perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është rrugë me një kalim, kryesisht në konjukturat e tanishme".

"Kam gëzim që jam këtu sot dhe të njoftoj së bashku me kryeministrin Edi Rama vendimin tonë për përcjelljen e çështjes së delimitimit të zonave detare, të hapësirave detare dhe të shelfit kontinental në Hagë. Përmbushja e kësaj procedure për ne ka rëndësi të veçantë dhe të dyja vendet dëshirojnë që të zgjidhin diferencat tona në bazë të drejtës ndërkombëtare dhe kryesisht të drejtës së detit. Gjithashtu mendoj se përtej rëndësisë që ka për dy vendet tona, dërgon edhe një mesazh shumë të rëndësishëm tek gjithë vendet e tjera se kjo është mënyra e duhur dhe mënyra e saktë për të zgjidhur divergjencat tona", tha Dendias.

Kujtojmë se Shqipëria dhe Greqia konfirmuan në tetor 2020 se janë dakorduar që t'i drejtohen drejtësisë ndërkombëtare për të zgjidhur çështjen e kufizimit të zonave detare mes dy vendeve, shqyrtim i cili në gjykatën ndërkombëtare u konfirmua gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Dendias tha se marrëdhëniet mes dy vendeve janë zhvilluar shumë mirë, duke shtuar se "Madje edhe abrogimi i ligjit të luftës është diçka që duhet të shkëputemi dhe ne duhet të bashkëpunojmë këtu në mënyrë që pikat historike për abrogimin e tij të përmbyllen sa më shpejt të jetë e mundur".

Dendias theksoi komuniteti grek në Shqipëri dhe komuniteti shqiptar që punon e jeton në Greqi përbëjnë një urë lidhëse midis dy vendeve.

Margariti dhe Mendoni nënshkruajnë memorandum mirëkuptimi

Nga ana tjetër, ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ka pritur në një takim ministren e Kulturës dhe Sportit të Greqisë, Lina Mendoni, e cila viziton Shqipërinë në kuadër të hapjes së Javës së Kulturës Greke që fillon sot në Tiranë.

Sipas njoftimit nga Ministria e Kulturës e Shqipërisë, gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin e deritanishëm në fushën e artit dhe të trashëgimisë kulturore dhe për projektet e mëtejshme që kanë si qëllim promovimin e kulturës.

Sipas ministrisë, Margariti dhe Mendoni nënshkruan një memorandum mirëkuptimi, për bashkëpunim në fushën e gërmimit, konservimit dhe restaurimit të siteve dhe monumenteve arkeologjike në Shqipëri.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.