Mbahet "Maratona e Tiranës 2025"
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Tiranës, në garë morën pjesë mbi 5 mijë garues nga 56 shtete të ndryshme të botës

Tiranë
Në Shqipëri është mbajtur edicioni i nëntë i Maratonës së Tiranës, ndërkohë morën pjesë mijëra vrapues nga vende të ndryshme, raporton Anadolu.
Sipas të dhënave zyrtare të Bashkisë së Tiranës, në garë morën pjesë mbi 5 mijë garues nga 56 shtete të ndryshme të botës.
Garuesit në "Maratonën e Tiranës 2025" morën pjesë në disa kategori, si maratona e plotë 42 km, 21 km, 10 km dhe kategori të tjera, ndërsa në përfundim të saj u ndanë çmimet sipas kategorive.
Fitues në kategorinë e maratonës së plotë për meshkuj ishte Benard Kiprotich Too nga Kenia dhe për femra maratona u fitua nga Chelangat Sang po ashtu nga Kenia.
Në një reagim në rrjetet sociale, kryetarja e komanduar e Bashkisë Tiranë, Anuela Ristani, ka shkruar se kjo maratonë është një nga aktivitetet më të rëndësishme sportive që mbledh mijëra pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
"Maratona e Tiranës është më shumë se një garë, është një festë për qytetin. Një ditë e veçantë për ata që marrin pjesë, për ata që i mbështesin dhe për të gjithë që e shijojnë këtë energji pozitive që përfshin kryeqytetin", ka shkruar ajo.
Maratona është organizuar nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe me mbështetjen e institucioneve të ndryshme.