Politikë, BALLKANI

Kurti në Shkup: Mbledhja midis dy qeverive tona, moment historik

Qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës mbajtën mbledhjen e parë të përbashkët, ku u nënshkruan 11 marrëveshje e memorandume në fusha të ndryshme

Abdula Berisha  | 16.09.2021 - Përdıtësım : 17.09.2021
Kurti në Shkup: Mbledhja midis dy qeverive tona, moment historik ( Edıta Zekjırovıkj - Anadolu Agency )

Shkup

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, zhvilloi një konferencë të përbashkët për media me homologun e tij kosovar, Albin Kurti, pas mbledhjes së përbashkët qeveritare të mbajtur në Shkup, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në fjalën e tij, kryeministri Zaev tha se mes dy vendeve zhvillohet një bashkëpunim i shkëlqyer, duke shtuar se mbledhja e përbashkët qeveritare është një impuls pozitiv për intensifikim të raporteve.

Zaev gjithashtu tha se për Maqedoninë e Veriut, Kosova është ndër partnerët më të rëndësishëm tregtar, si dhe u shpreh se intensifikimi i bashkëpunimit kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit.

"Japim mbështetje të plotë për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës të udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe do të mbështesim zgjidhje që është e pranueshme nga të dyja palët, marrëveshje për normalizim, marrëveshje që do të fuqizojë bashkëpunimin rajonal, stabilitetin dhe prosperitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor", tha Zaev.

Ai gjithashtu shprehu mbështetje për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe gatishmëri për të ndarë eksperiencën në rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

Nga ana tjetër, Kurti e cilësoi mbledhjen e dy qeverive si "moment historik" në bashkëpunimin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

"Mbajtëm mbledhjen e përbashkët e cila për neve është shprehje e vullnetit për të shënuar një etapë të re të bashkëpunimit të ndërsjellë, por edhe shprehje e vlerësimit për marrëdhëniet tona të mira fqinjësore", tha Kurti.

Ai theksoi se dy vendet deri tani kanë pasur 42 marrëveshje e memorandume të nënshkruara, duke shtuar se sot janë nënshkruar edhe 11 të tjera në fusha të ndryshme.

"Ndër to është edhe Memorandumi i Bashkëpunimit sipas të cilit do të formohet një komision i përbashkët për rrugën Prizren-Tetovë, një aks tejet i rëndësishëm për Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut", tha Kurti.

- Iniciativa "Ballkani i Hapur"

Dy kryeministrat u pyetën për iniciativën rajonale "Ballkani i hapur" ku bëjnë pjesë Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria, ndërsa në të nuk janë përfshirë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Në lidhje me këtë, Kurti u shpreh se "për neve, e ardhmja është Bashkimi Evropian".

"Bashkimi Evropian është fati ynë ndërkaq Evropa është kontinenti ynë. Andaj, edhe si Republikë e Kosovës, ne mbështesim të gjitha iniciativat rajonale në të cilat e kemi Bashkimin Evropian, e të cilat janë nga Bashkimi Evropian", u shpreh Kurti.

Zaev pranoi se në lidhje me iniciativën "Ballkani i hapur" ka qëndrime të ndryshme me kryeministrin kosovar, por u shpreh se kjo nuk është pengesë në bashkëpunim.

"Unë vetëm do të them se Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur, i ndërton qëndrimet e saja dhe ne i respektojmë këto qëndrime", tha Zaev, duke shtuar se beson se vendet e Ballkanit duhet të mbajnë dialogun dhe të arrijë marrëveshje.

Ai u shpreh se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë alternativë tjetër përpos anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE) dhe sipas tij, çdo marrëveshje dypalëshe apo rajonale bëhet për një të ardhme më të shpejtë dhe më efikase në BE.

Më herët gjatë ditës, Qeveria e Kosovës u prit me ceremoni zyrtare para objektit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga një delegacion qeveritar i kryesuar nga kryeministri Zaev, ku u intonuan edhe himnet e dy vendeve.

Në mbledhjen e parë të përbashkët, qeveritë e të dyja vendeve janë në përbërje të plotë.

Në kuadër të vizitës, para mbledhjes së përbashkët të të dyja qeverive, u mbajt takim dypalësh mes kryeministrave Zaev dhe Kurti, si dhe takime dypalëshe të ministrave të qeverive e të të dyja vendeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.