BALLKANI

Kosovë, situatë e qetë tek barrikadat e reja në Mitrovicën e Veriut

Në barrikadën afër Shkollës Teknike, që ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, tre kamionë bllokojnë rrugën që lidh pjesën jugore të qytetit me shumicë shqiptare me pjesën veriore të qytetit me shumicë serbe

Agim Sulaj  | 27.12.2022 - Përdıtësım : 28.12.2022
Kosovë, situatë e qetë tek barrikadat e reja në Mitrovicën e Veriut Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Në barrikadat e reja që mbrëmë janë vendosur në rrugët e Mitrovicës së Veriut është qetësi dhe nuk ka qytetarë të grumbulluar përreth tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në barrikadën afër Shkollës Teknike, e cila ndodhet në Lagjen e Boshnjakëve, një lagje multietnike ku jetojnë shqiptarë, serbë dhe boshnjakë, tre kamionë bllokojnë rrugën që lidh pjesën jugore të qytetit të Mitrovicës me shumicë shqiptare me pjesën veriore të qytetit me shumicë serbe.

Në këtë barrikadë nuk ka qytetarë të mbledhur afër saj, siç është rasti me barrikadat e tjera në veri, të cilat ruhen nga serbët lokal.

Këtë pjesë të qytetit qytetarët e kalojnë vetëm në këmbë dhe pak më poshtë se barrikada drejt pjesës jugore të qytetit janë të stacionuara dy vetura patrulluese të Policisë së Kosovës.

Po ashtu edhe në barrikadën e dytë, e cila është e vendosur në Kershin e Dudes, nuk ka qytetarë përreth. Kjo barrikadë është vendosur mbi një urë që lidh qytetin e Mitrovicës me rrugën kryesore Mitrovicë-Leposaviq. Në këtë barrikadë nuk ka as pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe as njësi të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Deri më tani nuk ka pasur barrikada në Mitrovicën e Veriut, ndërsa në tre komunat e tjera në veri të Kosovës, gjegjësisht në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, barrikadat e para janë vendosur më 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-policit serb në Policinë e Kosovës, Dejan Pantiq, i cili aktualisht është në paraburgim nën dyshimet për sulm terrorist ndaj institucioneve të Kosovës.

Pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian (BE) dhe KFOR-it që të largohen barrikadat që po pengojnë lirinë e lëvizjes në territorin e Kosovës, një gjë e tillë nuk po ndodhë.

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka kapacitetet e nevojshme që t’i largojë vetë barrikadat, por i ka dhënë kohë KFOR-it që të veprojë në këtë drejtim.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili sipas autoriteteve kosovare është ai që po i nxitë veprimet në veri, ka deklaruar se barrikadat do të hiqen kur Kosova të themelojë asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.