"Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korrupsionit gjatë vitit 2021"
Kosova përveç progresit prej 3 pikëve për periudhën një vjeçare, krahasuar me vitin 2012 ka shënuar progres prej 5 pikëve

Prishtinë
Kosova ka shënuar progres të lehtë në luftën kundër korrupsionit sipas Transparency International e cila i ka dhënë 39 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021 apo 3 pikë më shumë se sa në vitin 2020, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI), ku u bë prezantimi i detajeve të këtij raporti, Arben Kelmendi, tha se në nivel rajonal në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, progres është shënuar në tre shtete, dy shtete kanë mbetur në vlerësim të njëjtë dhe një shtet ka shënuar rënie.
"Kosova pas 3 vitesh stagnimi në fushën e anti-korrupsionit sivjet vlerësohet me 39 pikë duke rikthyer tre pikët e humbura. Në këtë mënyrë, Kosova rikthehet në nivelin e vlerësimit në të cilën ishte në vitin 2017 duke shënuar ngritje në tabelën e klasifikimit për 17 pozita (në pozitën e 87-të nga pozita 104 në të cilën ndodhej vitin e kaluar)", tha Kelmendi.
Ai theksoi se Kosova përveç progresit prej 3 pikëve për periudhën një vjeçare, krahasuar me vitin 2012 ka shënuar progres prej 5 pikëve.
Raporti thekson gjithashtu se në Kosovë ka pasur transfer paqësor pushteti mes qeverive në vitet e fundit dhe Kosova "është i vetmi vend në rajon dhe një nga vetëm pesë vendet në Evropë që gjatë periudhës së pandemisë nuk i transferoi kompetencat vendimmarrëse tek ekzekutivi por i mbajti në parlament".
"Kosova në këtë drejtim ka qenë një shembull shumë i mire, duke lënë parlamentin të kryejë detyrat e veta gjatë periudhës së pandemisë", thekson raporti.
Sa i përket vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria me 35 pikë është e vetmja e cila është nënvlerësuar apo ka humbur 1 pikë në vlerësimin e sivjetmë. Serbia me 38 pikë dhe Bosnjë e Hercegovina me 35 pikë kanë mbetur në nivelin e njëjtë, ndërsa Mali i Zi me 46 pikë dhe Maqedonia e Veriut me 39 pikë kanë shënuar progres.
Në aspektin global, nga 180 vende të përfshira në vlerësim, Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re ndajnë pozitën e parë me 88 pikë, të ndjekura nga Singapori, Suedia dhe Norvegjia me 85 pikë.
Transparency International, përdor një metodologji shkencore dhe raportin e bazon kryesisht në raportet nga organizata ndërkombëtare si Freedom House, Banka Botërore dhe organizata të tjera. Indeksi shfrytëzon sistemin e vlerësimit prej 100 shkallësh në të cilin vlerësimi maksimal do të thotë ‘vend i pastër nga korrupsioni’ kurse vlerësimi prej zero pikë do të thotë ‘vend shumë i korruptuar’.