Agim Sulaj
02 Shkurt 2023•Përditësim: 02 Shkurt 2023
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë ka shënuar Ditën Globale të Zgjedhjeve, raporton Anadolu.
Nëpërmjet një tryeze me temë "Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve" u diskutua për rëndësinë e proceseve demokratike zgjedhore.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se përmirësimi i shërbimeve dhe përkrahja për të ecur me zhvillimet teknologjike ka qenë në fokus të këtij institucioni vitet e fundit.
Radoniqi tha se KQZ prej disa vitesh është munduar për disa zgjedhje me radhë që të mos e përfundojë angazhimin për një proces zgjedhor me rastin e certifikimit të rezultateve përfundimtare por kanë vazhduar edhe me publikime të cilat do t'i shërbenin këtij institucioni dhe palëve tjera.
"Ligji aktual për zgjedhjet e përgjithshme është në fuqi që prej gati 14-15 vitesh dhe natyrisht se është shumë e nevojshme që të bëhen ndërhyrje", theksoi Radoniqi, i cili shtoi se është bërë pjesë aktive e reformës zgjedhore e cila po udhëhiqet nga Kuvendi i Kosovës ndërsa deri më tash kanë prezantuar rreth 50 rekomandime për përmirësimin e hapësirës ligjore në organizimin e zgjedhjeve.
Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog tha se është detyrë e qytetarëve për të kontribuuar në procesin demokratik të zgjedhjeve dhe të votojmë për personat që përfaqësojnë më së miri një vend përkatës.
Ai tha se BE-ja është e inkurajuar të shohë angazhimin e institucioneve për të bërë reformë zgjedhore me rekomandimet e bëra edhe nga vetë BE-ja. "Dua të shoh sa më shpejtë që të mundet që ky proces të përfundohet me legjislacion të ri dhe me rregullore të reja në vend", theksoi Szunyog.
Procesi zgjedhor në Kosovë është parë nga ekspertë të huaj dhe vendor me mangësi dhe me nevojën për reforma të cilat janë iniciuar nga viti 2011 por ende nuk kanë përfunduar.
Në shënimin e Ditës Globale të Zgjedhjeve morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, subjekteve politike, organizatave ndërkombëtare dhe atyre të shoqërisë civile.
Dita Globale e Zgjedhjeve shënohet në shumë shtete që nga viti 2005, kur ekspertët e zgjedhjeve nga e gjithë bota morën pjesë në Konferencën Globale me zyrtarët e zgjedhjeve në Hungari. Nëpërmjet kësaj konference dërguan mesazhin lidhur me nevojën jetike për të forcuar procesin e zhvillimit demokratik në të gjithë botën.