BALLKANI

Konstituohet Legjislatura e Dhjetë e Kuvendit të Kosovës

Haxhiu u emërua kryetare e Kuvendit me votat e 66 deputetëve, ndërsa 44 deputetë votuan kundër dhe 8 deputetë abstenuan

Agim Sulaj  | 11.02.2026 - Përdıtësım : 12.02.2026
Konstituohet Legjislatura e Dhjetë e Kuvendit të Kosovës Foto: ERkin Keçi/AA

Prishtinë

Albulena Haxhiu është emëruar kryetare e Legjislaturës së Dhjetë të Kuvendit të Kosovës në seancën e parë të mbajtur pas zgjedhjeve parlamentare të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit të vitit 2025, raporton Anadolu.

Haxhiu u emërua kryetare e Kuvendit me votat e 66 deputetëve, ndërsa 44 deputetë votuan kundër dhe 8 deputetë abstenuan.

Ajo tha se detyra e saj si kryeparlamentare është që institucioni i Kuvendit të funksionojë me dinjitet, në përputhje me Kushtetutën dhe praktikat më të mira parlamentare. Ajo gjithashtu tha se një Kuvend funksional është parakusht për një shtet të fortë dhe demokraci të qëndrueshme.

“Ky institucion përtej rregullave dhe procedurave është vendi ku qytetarët matin seriozitetin tonë. Ata e shohin nëse dimë të dalim nga llogaritjet ditore, kur preket e ardhmja e vendit. Prandaj, ju ftoj që debatet t’i zhvillojmë me argumente, kritikat t’i shoqërojmë me përgjegjësi dhe dallimet t’i mbajmë brenda respektit të ndërsjellë”, tha Haxhiu.

Pas emërimit të Haxhiut si kryetare, Kuvendi votoi edhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni në pako. Pro emrave të propozuar votuan 104 deputetë, tre deputetë votuan kundër dhe gjashtë deputetë abstenuan.

Nënkryetar nga Lëvizja Vetëvendosje u emërua Ardian Gola, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Kujtim Shala, nga komuniteti serb, Slavko Simic dhe nga komuniteti joshumicë jo-serb, Emilja Rexhepi.

Në fund të seancës u paralajmërua se sot do të mbahet edhe seanca për votimin e qeverisë së re, por për këtë Haxhiu tha se mediat do të njoftohen me kohë për seancën e radhës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.