Husamedin Gina
27 Shkurt 2020•Përditësim: 28 Shkurt 2020
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe në një konferencë për media pasdite informoi për të dhënat e fundit në lidhje me gjendjen e koronavirusit Covid-19 në vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke iu referuar pacientes tek e cila u konfirmua prania e koronavirusit, Filipçe tha se ajo ndihet mirë dhe se ka një pasqyrë të lehtë klinike, duke shtuar se pacientja nuk ka shenja të ndonjë ndërlikimi dhe se trajtohet në departamentin e izolimit në Klinikën e Sëmundjeve Infektive në Shkup.
"Dy pacientët e tjerë që i testuam gjatë ditës së sotme kanë rezultuar negativ ndaj koronavirusit. Bëhet fjalë për një shofer kamioni i cili ka ardhur nga rajoni i Italisë veriore dhe për një bashkëqytetare e cila ka ardhur nga Roma", tha Filipçe.
Ai gjithashtu tha se priten rezultatet edhe për një person tjetër i cili ka ardhur nga qyteti i Romës dhe është paraqitur në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.
Ministri Filipçe informoi se po vijon periudha e izolimit për gjithsej 12 personat që kanë udhëtuar bashkë me pacienten tek e cila u konfirmua prania e koronavirusit, si dhe për personat që kanë qenë në kontakt me udhëtarët. Ai tha se është vendosur që periudha e izolimit të jetë nën mbikëqyrje në 14 ditët e ardhshme.
Ndryshe, ministri Filipçe dje konfirmoi rastin e parë të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut, me ç'rast tha se bëhet fjalë për një paciente nga Shkupi e lindur në vitin 1970, e cila kishte qëndruar në Itali për ca kohë.