Shëndetësi

Maqedoni, panel diskutimi me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipçe, në një deklaratë për mediat para fillimit të debatit tha se ka filluar procesi për përgatitjen e një Regjistri Kombëtar të Kancerit, edhe atë për herë të parë në Maqedoni

Husameddin Gina  | 04.02.2019 - Përdıtësım : 05.02.2019
Maqedoni, panel diskutimi me rastin e Ditës Botërore Kundër Kancerit ( Husameddin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (AA) - Shoqata për luftë kundër kancerit "Borka - për çdo ditë të re" organizoi sot në Shkup një panel diskutimi si pjesë e shënimit të 4 Shkurtit - Ditës Botërore Kundër Kancerit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në panelin e sotëm u diskutua sëmundja e kancerit, me theks të veçantë në parandalimin, zbulimin e hershëm, trajtimin dhe terapinë, gjendjen në Maqedoni, si dhe hapat e ardhshëm, siç është implementimi i Regjistrit Kombëtar të Kancerit.

Kryetarja e shoqatës "Borka", Biba Dodeva, tha se ndihet shumë e lumtur me faktin se në mesin e 100 organizatave nga më shumë se 50 vende të botës, "Borka" është zgjedhur të jetë "kampion i vendit" (Country Champion) dhe kështu ka mundësuar që Maqedonia të bëhet pjesë e udhëheqësve globalë të fushatës "Trajtim për të gjithë" të implementuar nga Unioni Ndërkombëtar për Kontrollin e Kancerit (UICC).

Ajo theksoi se problemet në luftën kundër kancerit nuk janë mënjanuar mjaftueshëm, por shtoi se statistikat e "zeza" të viteve të kaluara dukshëm kanë filluar të ndryshojnë.

"Incidenca - për të mos gënjyer veten - është trend në mbarë botën dhe në rritje, kështu që gjithnjë e më shumë ka një trend në rritje të rasteve të reja, të të sapodiagnostikuarve me çfarëdo lloji të sëmundjeve malinje. Megjithatë, qëllimi ynë dhe aktivitetet tona janë të fokusuara pikërisht në uljen e vdekshmërisë nga kanceri. Dhe, në qoftë se duam të prezantojmë Maqedoninë si pjesë të Evropës, duhet të ketë shëndetësi evropiane që ndjek këtë trend të reduktimit të vdekshmërisë së kancerit", tha Dodeva.

Ndërkaq, ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë, Venko Filipce, në një deklaratë për mediat para fillimit të debatit tha se ka filluar procesi për përgatitjen e një Regjistri Kombëtar të Kancerit, edhe atë për herë të parë në Maqedoni.

"Po forcojmë kapacitetet në drejtim të krijimit të një regjistri të sëmundjeve malinje për herë të parë në vendin tonë, si për pacientë të cilët trajtohen në spital, ashtu edhe pacientët në nivel të vendeve të tyre të banimit, me çka do të mësojmë shumë për arsyet dhe në këtë mënyrë si të menaxhojmë përqindjen e lartë të sëmundjeve malinje në vendin tonë", tha Filipçe.

Ai kujtoi se parandalimi është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe vuri në dukje se janë duke filluar me blerjen e tetë mamogramëve për institucionet shëndetësore publike në të gjithë vendin, që do të përmirësojnë ndjeshëm kapacitetin për mamografi dhe për programin për parandalimin e kësaj sëmundjeje.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın