Nazmi Abduramani
07 prill 2017•Përditësim: 08 prill 2017
ROMË (AA) – Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë Zoran Jolevski sot në Romë kryesoi me sesionin e titulluar “Rruga deri te integrimi” i cili është pjesë e konferencës që e organizon Kolegji Mbrojtës i NATO-s, me temë “Rrjetet ballkanike dhe stabiliteti – lidhja e bashkëpunimit dhe siguria njerëzore”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, në sesionin e sotëm në të cilën krahas ministrit Jolevski si kryesues, bashkëfolës ishin edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme i Sllovenisë, Dimitrij Rupel, më pas Goran Svilanoviq, sekretar i përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal, Arijan Starova, kryetar i Këshillit Atlantik nga Tirana dhe Bruk Smith –Uindzor.
Në sesion, siç njoftoi Ministria e Mbrojtjes, është theksuar rëndësia e integrimit të vendeve-aspirante për anëtarësim në NATO nga Evropa Juglindore. Folësit kanë theksuar se anëtarësimi në Aleancë duhet të shikohet nga aspekti i ruajtjes dhe avancimit të stabilitetit rajonal dhe sigurisë.
Ministri Jolevski si kryesues i sesionit theksoi se anëtarësimi në BE dhe NATO është me rëndësi strategjike për Republikën e Maqedonisë, por edhe për Evropën.
“Është e domosdoshme që Evropa të jetë kreative dhe të gjejë metoda se si do t’i përshpejtojë proceset integruese për vendet tjera nga Evropa Juglindore”, theksoi ministri.
Ndryshimet në aspektin gjeopolitik në Evropë dhe në botë theksojnë për nevojën e qasjes strategjike drejt shpejtimit të proceseve integruese të vendeve të Evropës Juglindore, meqë status-kuo situata në integrimet e tyre është e paqëndrueshme, theksoi Jolevski.
Në njoftim thuhet se folësit e Konferencës, deklaruan se e ardhmja e vendeve të Evropës Juglindore është në BE dhe NATO. Qëllimi i konferencës është që të jepet kontribut shtesë për sigurinë në bashkësinë ndërkombëtare duke shikuar nga perspektiva e të menduarit politik dhe strategjik, në drejtim të integrimit të vendeve tjera nga Ballkani dhe ngjarjet e sigurisë në rajon dhe Evropë.