BALLKANI

Zaev viziton të lënduarit nga aksidenti i mbrëmshëm

Zaev pas vizitës shprehu mirënjohje për të gjitha Qendrat Klinike, zjarrfikësit, policët dhe gjithë të tjerët për ndihmën e ofruar gjatë shpëtimit të udhëtarëve të aksidentuar

Husamedin Gina  | 14.02.2019 - Përdıtësım : 14.02.2019
Zaev viziton të lënduarit nga aksidenti i mbrëmshëm ( Husamedin Gina - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (АА) – Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev së bashku me ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe dhe zv/kryeministrin Bujar Osmani sot vizituan të lënduarit nga aksidenti i mbrëmshëm që ndodhi në autostradën Shkup-Tetovë në afërsi të fshatit Llaskarcë, dhe të cilët janë shtruar në spitalin "8 Shtatori", raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, para mediave shpalosi informacionet zyrtare sipas së cilave në aksidentin e mbrëmshëm tragjik, jetën e kanë humbur 14 persona ndërsa aktualisht në gjendje kritike janë 4 pacientë.

"Në këto momente në spitalin '8 Shtatori', 4 pacientë ndodhen në repartin e kujdesit intensiv dhe janë në gjendje kritike ndërsa 3 pacientë të tjerë në Qendrën Klinike të cilët po ashtu janë në repartin e kujdesit intensiv gjatë natës ndaj tyre janë kryer intervenime kirurgjikale. Sinqerisht shpresoj se këta 7 pacientë do ta tejkalojnë këtë krizë dhe trajtimin e mëtejshëm mjekësor do ta kalojnë jashtë kujdesit intensiv në repartet përkatëse", deklaroi Filipçe.

Ai po ashtu theksoi se në spitalin "8 Shtatori" janë pranuar 37 persona, 8 në klinikat e Shkupit, 2 në spitalin e Tetovës dhe një udhëtare u shtrua në Spitalin e vjetër të Qytetit të Shkupit.

Zaev pas vizitës shprehu mirënjohje për të gjitha Qendrat Klinike, zjarrfikësit, policët dhe gjithë të tjerët për ndihmën e ofruar gjatë shpëtimit të udhëtarëve të aksidentuar.

"Shfrytëzoj rastin të falënderoj në emër të Qeverisë për solidaritetin dhe humanitetin e bashkëqytetarëve tanë nga fshatrat që vrapuan në momentet e para dhe treguan njerëzi, madhështi, duke dëshmuar se ende ka njerëz. Dhe, me të vërtetë ndihma e tyre për një pjesë të madhe të njerëzve ishte e një rëndësie jetike. Ky është një mesazh serioz njerëzor deri tek të gjithë qytetarët", ka thënë Zaev.

Sipas drejtorit të spitalit "8 Shtatori", Hristijan Kostov, shoferi ka pësuar lëndime trupore dhe është lëshuar për kurim shtëpiak.







Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.