BALLKANI

Krerët shtetërorë në Gostivar për të ngushëlluar familjarët e viktimave

Presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov dhe Zoran Zaev, si dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë marrë pjesë në seancën përkujtimore të sotme në Komunën e Gostivarit

Besar Ademi  | 14.02.2019 - Përdıtësım : 15.02.2019
Krerët shtetërorë në Gostivar për të ngushëlluar familjarët e viktimave ( Besar Ademi - Anadolu Agency )

Gostivar

GOSTIVAR (AA) - Presidenti dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Gjorgje Ivanov dhe Zoran Zaev, si dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë marrë pjesë në seancën përkujtimore të sotme në Komunën e Gostivarit me rastin e aksidentit tragjik të autobusit, ku humbën jetën 14 qytetarë të Gostivarit dhe mbi 30 tjerë u lënduan, raporton Anadolu Agency (AA).

Në seancën e jashtëzakonshme të Komunës së Gostivarit, këshilltarët shpallën tre ditë zie për nder të personave që pësuan nga aksidenti.

Para të pranishmëve në seancën, presidenti Ivanov në fjalën e tij theksoi se humbja është e vështirë, por më e vështirë është nëse këto ngjarje përsëriten, duke shtuar se ky është “mësim që të jemi më të kujdesshëm”, sepse jeta është e shtrenjtë dhe nuk mund të kompensohet.

“Thuhet se njerëzit nuk vdesin kur varrosen, por kur harrohen. Të mbetet i përjetshëm kujtimi i këtyre njerëzve dhe t’i kujtojmë ata, ndërsa të afërmit e tyre t’i ndihmojmë që t’i kalojnë këto momente më të vështira”, tha Ivanov, duke shprehur ngushëllime për familjet e personave që humbën jetën.

Para të pranishmëve në seancë u adresua edhe kryeministri Zaev, i cili në emër të qeverisë shprehu ngushëllime për jetët e humbura dhe garantoi se qeveria e tij do të ndihmojë për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve.

“Humbja është e pazëvendësueshme, por nuk jeni të vetëm dhe nuk do t’iu lëmë vetëm. Ne shpirtërisht jemi me ju dhe sigurisht edhe do të jemi me ju. Jemi përkushtuar për të ndihmuar familjet. Po ashtu, si qeveri dhe si autoritete kompetente ju garantoj se do të bëjmë gjithçka për të zbardhur aksidentin tragjik”, deklaroi Zaev.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, falënderoi autoritetet dhe të gjithë të tjerët që kontribuan dhe vazhdojnë të kontribuojnë për personat që pësuan nga aksidenti.

“I lutem Zotit që t’i falë dhe t’i pranojë sa më afër tij. I lutem që t’i bëjë të fortë familjarët e tyre. I lutem Zotit për ne të Gostivarit”, u shpreh Taravari.

Të pranishëm ishin edhe zv/kryeministri i vendit për çështje evropiane, Bujar Osmani, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve dhe kryetar të komunave të vendit.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme po ashtu shpalli 14 dhe 15 shkurtin ditë zie, ndërsa flamujt para godinës së qeverisë, nëpër rrugët e Shkupit dhe para përfaqësuesve të huaja diplomatike janë ulur në gjysëm shtizë.

Ndërkohë, të gjitha aktivitetet kulturore dhe argëtuese si dhe shumë aktivitete të tjera që ishin planifikuar të mbahen sot, u anuluan për shkak të këtij rasti.

Mesazhe ngushëllimi kanë ardhur edhe nga krerët dhe drejtuesit e institucioneve nga të gjitha vendet e rajonit, por edhe më gjerë. Ndër to, edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, sot u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave të aksidentit dhe popullit të Maqedonisë së Veriut, duke uruar po ashtu shërim të shpejtë për të lënduarit.

Kujtojmë se dje autobusi që transportonte udhëtarë nga Shkupi për në Gostivar në afërsi të fshatit Llaskarcë humbi kontrollin dhe u përmbys jashtë autostradës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.