Ekip
06 nëntor 2020•Përditësim: 07 nëntor 2020
Pas më shumë se 8 orëve ka përfunduar procedura e bastisjes së shtëpisë së presidentit të dorëhequr të Kosovës, Hashim Thaçi, në Çagllavicë të Komunës së Graçanicës, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas bastisjes, njëri nga avokatët e presidentit, Dastid Pallaska, në një deklaratë për media tha se bastisja ka qenë me qëllime të përgjithshme, pa ndonjë shënjestrim të duhur.
“Atë që mund të them për momentin është që bastisja është kryer, ndërsa sa i përket qëllimeve të bastisjes mund të them se ato ishin jashtëzakonisht të përgjithshme, rrjedhimisht nuk dukej se kishte ndonjë shënjestrim të duhur të bastisjes, që është parakusht procedural që të urdhërohet bastisja", tha Pallaska.

Pallaska tha se për shkak të interesimit të madh të mediave me rastin, në vazhdim komunikimi i mbrojtjes së Thaçit me mediat do t’i nënshtrohet procedurave, ndërsa për mënyrën dhe personat që do të shërbejnë si pika të komunikimit tha se do të ketë njoftim më vonë.
"Po ashtu, mbetet ende e paqartë si në aspektin procedural dhe atë logjik që bastisjet të kryhen pas ngritjes së aktakuzës, përkatësisht konfirmimit të saj. Ajo çfarë kjo bastisje sugjeron është që aktakuza ndaj Thaçit, mbetet shënjestër në lëvizje. Përkatësisht, duket që Prokuroria ende kërkon prova për të mbështetur një aktakuzë që tanimë e ka ngritur”, shtoi ai.
Përpos shtëpisë së Presidentit të Kosovës, pjesëtarë të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë bastisur sot edhe banesën e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli si dhe atë të deputetit të Vetëvendosjes Rexhep Selimi, ndërsa ajo e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi është bastisur më 4 nëntor ditën kur u arrestua dhe transferua drejtë Hagës.
Që të katërt ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë transferuar për në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës me Seli në Hagë të Holandës. Deri më tani janë bërë të ditura vetëm dy seanca nga Dhomat e Specializuara, ajo me presidentin e dorëhequr Hashim Thaçi, si dhe me ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, të cilat do mbahen të hënën, 9 nëntor.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka bërë publike edhe aktakuzën e konfirmuar ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së, ku thuhet se “së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”.
Sipas aktakuzës, krimet janë kryer në disa vende në Kosovë si dhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe janë kryer nga ana e anëtarëve të UÇK-së kundër qindra civilëve dhe personave “që nuk merrnin pjesë aktive në luftime”.