Fatjon Cuka
17 janar 2018•Përditësim: 17 janar 2018
TIRANË (AA) - Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, ka vizituar Shqipërinë, ku është takuar me drejtues të lartë të vendit, ndërsa në fokus të bisedimeve ishin forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, bashkëpunimi në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe çështje të tjera, raporton Anadolu Agency (AA).
Osmani është takuar me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi, kryetarin e opozitës dhe njëkohësisht kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulizm Basha.
Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë, thuhet se gjatë takimit Meta-Osmani, presidenti i Shqipërisë përshëndeti miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe (ligji për përdorimin e gjuhëve) nga Parlamenti i Maqedonisë, sipas tij, si një hap përpara për demokratizimin dhe forcimin e rrugës integruese të Maqedonisë.
"Presidenti Meta theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, për respektimin e të drejtave të shqiptareve në Maqedoni dhe përmirësimin e klimës se besimit të ndërsjellë në mes të shqiptareve dhe maqedonasve, në interes të integrimit euro-atlantik të vendit", thuhet ndër të tjera në njoftim.

Gjatë takimit të zëvendëskryeministrit të Maqedonisë, me kreun e Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, u vlerësua rëndësia e vizitave të niveleve më të larta për krijimin e kushteve për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh.
"Në takim u ritheksua vullneti për intensifikimin e përpjekjeve të përbashkëta për të konkretizuar piketat e bashkëpunimit të hedhura në mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive në Pogradec, me qëllim fuqizimin e ndërlidhjes, përfundimin e korridoreve infrastrukturore, të energjisë, rrëzimin e barrierave të çfarëdollojshme, si dhe për mundësimin e një sinergjie efektive për perspektivën e përbashkët evropiane. Kryetari i Kuvendit (të Shqipërisë) theksoi faktin se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë fort integrimin euroatlantik të Maqedonisë dhe rikonfirmoi se “ne ndajmë vizionin e një rajoni integruar në strukturat euroatlantike, pasi Ballkani është një pjesë integrale e sigurisë evropiane”, theksohet në një njoftim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Sipas njoftimit, duke vlerësuar rolin e Shqipërisë dhe të gjithë faktorit shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajon, Ruçi u shpreh se, për adresimin e çështjeve që i takojnë rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet treguar maturi dhe pjekuri, sipas tij, nëpërmjet mekanizmave diplomatikë e politikë, "për të çuar përpara procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian."
Ndërkohë Osmani është takuar edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, ku në përfundim të takimit kanë dhënë një deklaratë për mediat.