Figen Shaban
17 Janar 2018•Përditësim: 17 Janar 2018
PRISHTINË (AA) – Në kuadër të organizimeve në 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut dhe Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri Ramush Haradinaj dhe disa ministra të kabinetit qeveritar kanë bërë homazhe te monumenti i Skënderbeut në Prishtinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryministri Haradinaj në një prononcim për media pas homazheve theksoi se sot kanë nderuar monumentin e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Prishtinë.
"Ky nderim bëhet në përvjetorin e vdekjes së heroit tonë. Njëkohësisht është pjesë e aktiviteteve të përbashkëta të dy qeverive pra të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës për vitin mbarëkombëtar Skënderbeu", tha Haradinaj.
Ai tha se në këtë ditë kujtohen edhe heronjtë e Kosovës si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka duke shtuar se gjatë ditës së sotme do të ketë edhe aktivitete të tjera.
Kujtojmë se vendimi i parë që mori kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, sapo mori mandatin e ri ishte shpallja e vitit 2018 si “Vit i Skënderbeut”, ndërsa viti 2018 përkon me 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut i cili ndërroi jetë më 17 janar të vitit 1468 në Lezhë.