BALLKANI

Shkup, protesta para Kuvendit kundër ndryshimeve kushtetuese

Demonstruesit kërkojnë ndërprerjen urgjente dhe të pakusht të procesit për ndryshimet kushtetuese, anulimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Prespës, respektimin e të drejtës vendore dhe ndërkombëtare si dhe mbrojtje të përhershme të emrit të shtetit

Husameddin Gina  | 18.11.2018 - Përdıtësım : 19.11.2018
Shkup, protesta para Kuvendit kundër ndryshimeve kushtetuese ( Vedat Abdul - Anadolu Agency )

Shkup

SHKUP (АА) – Para Kuvendit të Maqedonisë janë mbajtur protesta në të cilat u kërkua dorëheqja e qeverisë, shpërbërja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare. Me këto kërkesa dolën sonte organizatorët e protestës jopartiake dhe gjithëpopullore, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta u organizua nga ana e Kongresit Botëror Maqedonas, "Bojkotoj", "Zëri për Maqedoninë" si dhe Politika e Tretë dhe Lenka.

Në protestë morën pjesë disa mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit.

Demonstruesit kërkojnë ndërprerjen urgjente dhe të pakusht të procesit për ndryshimet kushtetuese, anulimin e njëanshëm të Marrëveshjes së Prespës, respektimin e të drejtës vendore dhe ndërkombëtare si dhe mbrojtje të përhershme të emrit të shtetit.

Të pranishmit para Kuvendit brohoritën "Dorëheqje" dhe me lazer në ndërtesën e Kuvendit shkruan: "Dorëheqje" dhe "Tradhti".

Todor Petrov nga Kongresi Botëror Maqedonas në protestën para Kuvendit deklaroi se kanë ngritur padi penale kundër kryeministrit të vendit Zoran Zaev, ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov dhe 80 deputetëve të cilët votuan "për" ndryshimet kushtetuese për vepra penale kundër popullit.

Në protestë u bë thirrje deri tek qytetarët që nga nesër (e hënë) të fillojnë me bllokimin e udhëkryqeve kryesore të trafikut në të gjitha qytetet e vendit me automjete dhe mjete të tjera.

Bllokadat do të zgjasin, siç thanë organizatorët e protestës, deri në përmbushjen e kërkesave të protestës.

Ndryshimet në Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, e nënshkruar në qershor nga ana e qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kujtojmë se më 19 tetor, Kuvendi i Maqedonisë me një shumicë prej dy të tretave në Kuvend, gjegjësisht 80 vota, e miratoi propozimin për qasje drejt ndryshimeve kushtetuese, me çka pasuan projekt-amendamentet të cilat ishin parashtruar në Komision për shqyrtim dhe më pas duhet të miratohen me shumicë të thjeshtë të votave. Pas këtij hapi është i nevojshëm miratimi i ndryshimeve kushtetuese me dy të tretat e shumicës në Kuvendin e Maqedonisë që të hapet rruga që Parlamenti grek ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın