Bekim Laci
02 nëntor 2015•Përditësim: 02 nëntor 2015
SHKUP (AA)- Ambasadorja e Republikës së Francës në Maqedoni, Laurence Auer, deklaroi sot se situata politike në Maqedoni është e komplikuar dhe se Kuvendi i saj duhet të luajë rolin që ka për zbatimin e të ashtuquajturës “Marrëveshje e Përzhinës” duke miratuar ligjet që kanë dalë nga kjo marrëveshje, raporton Anadolu Agency (AA).
Ambasadorja franceze këto komente i bëri para takimit që kishte me dyer të mbyllura me grupin Parlamentar të Republikës së Maqedonisë për bashkëpunim me Parlamentin e Republikës së Francës.
“Do t’ju gënjej nëse ju them se nuk jemi të shqetësuar për situatën politike. Në të kaluarën u arrit një përparim sepse grupet negociuese punuan shumë dhe u morën vesh për kodin zgjedhor dhe prokuroren speciale, prandaj ne akoma besojmë në marrëveshjen e Përzhinës dhe se kësaj duhet ti jepet edhe një shans që të zbatohet” deklaroi Aouer e cila parlamentarëve nga Maqedonia u ka dërguar ftesë për të vizituar kolegët e tyre në Francë.
“Fillimisht të dorëzoj ftesën e grupit francez të miqësisë për të vizituar parlamentin e atjeshëm, gjë e cila do të shërbejë për njohje reciproke të deputetëve dhe e dyta të thellohet bashkëpunimi parlamentar nëpërmjet shërbimeve administrative” tha ajo.
Në njoftimin e publikuar nga Parlamenti, thuhet se deputetët kanë shprehur mirënjohjen e tyre për ftesën për të vizituar Francën, ndërsa kanë çmuar edhe përpjekjet e këtij shteti që të zgjidhet kriza politike në Maqedoni.
Përveç kryetari të grupit Parlamentar, Lubisha Nikoliq, në takim ishin të pranishëm edhe deputetët Daniela Rangel, Suzana Sekulovska, Vasil Pisev dhe Bekim Fazliu.