Figen Shaban
03 Nëntor 2017•Përditësim: 04 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Një grup qytetarësh dhe përfaqësues të familjeve të të dënuarve protestuan në Prishtinë në shenjë kundërshtimi lidhur me vendimin e djeshëm të Gjykatës Penale në Shkup, për dënimin e “Grupit të Kumanovës”, rreth ngjarjeve në "Lagjen e Trimave", raporton Anadolu Agency (AA).
Protestuesit të cilët janë nisur nga sheshi "Zahir Pajaziti" në drejtim të Ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë pasi janë ndaluar nga Policia e Kosovës kanë vazhduar të marshojnë në drejtim të godinës së Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili kishte reaguar sot përmes një deklarate me shkrim foli para grupit të protestuesve të mbledhur në sheshin "Skënderbeu", u shpreh se rasti duhet të hetohet mirë dhe të kërkohet ndihma ndërkombëtare për zbardhjen e këtij rasti. "Sipas meje mënyra për ta ndërruar këtë gjendje është që të kërkohet ndihma ndërkombëtare që të ndërhyjnë. Nuk e di si do të shkojnë procedurat, si duhet të arrihet deri tek kjo, por jemi të interesuar që të ndërhyjë një palë ndërkombëtare neutrale dhe ta hetojnë gjyqtarët, analistët këtë rast. Por duhet të fillojë prej periudhës para rastit të 'Kumanovës' e deri më sot, se jemi të habitur me këtë që ka ndodhur dje”, tha Haradinaj.
Haradinaj po ashtu duke theksuar se nuk mund ta diskutojë këtë temë me të gjithë të pranishmit në këtë protestë tha se ka ftuar ambasadorin e Kosovës në Shkup për tu informuar rreth çështjes. Ai ka ftuarit familjarët që të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre për një takim ku do të bisedojnë lidhur me këtë çështje. Protestuesit pas bisedimit me kryeministrin Haradinaj u shpërndanë në mënyrë të qetë.
Kujtojmë se dje në Gjykatën Penale të Shkupit është shqiptuar aktvendimi për 37 të akuzuarit e grupit të armatosur të Kumanovës për ngjarjet e vitit 2015 në "Lagjen e Trimave", ku shtatë të akuzuar morën dënime të përjetshme, katër të tjerë janë shpallur të pafajshëm, ndërsa pjesa tjetër ka marrë dënime prej 12 deri në 40 vjet burg. Ndërsa sot është shqiptuar dënimi i tetë me burg të përjetshëm për ngjarjet në "Lagjen e Trimave".