Figen Shaban
03 Nëntor 2017•Përditësim: 04 Nëntor 2017
PRISHTINË (AA) - Organizata joqeveritare Lëvizja FOL organizoi bashkëbisedimin me temë "Integriteti i Gjyqësorit", me Avokatin e Popullit në Kosovë, Hilmi Jashari, raporton Anadolu Agency (AA).
Jashari gjatë fjalimit të tij tha se në një shoqëri të brishtë roli i kontrollit parlamentar mbi ekzekutivin është i rëndësishëm, duke theksuar se madje është më i rëndësishëm sesa ligjbërja.
“Nëse ka një kontroll adekuat parlamentar mbi ekzekutivin, rritet përgjegjshmëria e udhëheqësve të institucioneve”, tha Jashari. Ai theksoi se shumica e partive politike që janë pjesë e kuvendit nuk kanë deklaruar financimin, duke shtuar se kjo do të duhej të ndodhte për t'i shërbyer kulturës së transparencës dhe llogaridhënëse të vetë autoriteteve që përfaqësojnë popullin në këtë institucion.
Ai bëri të ditur se kanë propozuar themelimin e një grupi ndërministror për të drejtat e njeriut për të parë sa janë realizuar rekomandimet e institucionit të Avokatit të Popullit. Sistemi gjyqësor ballafaqohet me vështirësi serioze sipas Jasharit ku mosekzekutimi i lëndëve gjyqësore është njëra prej tyre. Ai theksoi se pas një vizite rutine që ka bërë IAP organeve gjyqësore ka marrë një përgjigje që thotë se janë 10 mijë raste të lëndëve të paekzekutuara me një regjion të caktuar.
“Gjatë një hulumtimi të kryer para dy javësh dhe pas përfundimit të këtij hulumtimi kemi konstatuar që janë mbi 117 mijë lëndë në nivel nacional, pra lëndë gjyqësore të vendosura nga sistemi gjyqësor, por që nuk kanë arritur të ekzekutohen asnjëherë”, tha Jashari.