Fatjon Cuka
03 Maj 2016•Përditësim: 03 Maj 2016
TIRANË (AA) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, priti sot në një takim Avokatin e Popullit të Kosovës, Hilmi Jashari, ku i pranishëm në këtë takim ishte edhe Avokati i Popullit të Shqipërisë, Igli Totozani, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin zyrtar nga Kuvendi i Shqipërisë, theksohet se Meta, Avokati i Popullit, dhe Parlamenti, janë në bashkëpunim të vazhdueshëm në interes të proceseve demokratizuese të vendit dhe në shërbim të përmirësimit të cilësisë së jetesës dhe të drejtave të qytetarëve. Meta u shpreh gjithashtu se veprimtaria e Avokatit të Popullit si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, përballet me sfida.
Jashari vlerësoi bashkëpunimin mes Avokatit të Popullit të Kosovës dhe Avokatit të Popullit të Shqipërisë, duke e konsideruar si shumë të frytshëm, kjo jo vetëm sa i përket shkëmbimit të eksperiencave dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të përbashkëta, por edhe në mbështetjen që Avokati i Popullit i Shqipërisë jep për anëtarësimin e Ombudsmanit të Kosovës në rrjete ndërkombëtare, siç ishte anëtarësimi në Rrjetin e Ombudsmaneve të Mesdheut.
Gjatë takimit, u diskutua mbi organizimin e aktiviteteve të përbashkëta mes dy institucioneve të Avokatit të Popullit dhe dy kuvendeve.