Şahin Demir
08 tetor 2026•Përditësim: 08 tetor 2026
Siria të enjten ka rihapur Xhaminë e Madhe historike Emevite në qytetin verior të Halepit, 13 vjet pasi ajo doli jashtë funksionit për shkak të dëmeve të mëdha të shkaktuara gjatë luftës civile në vend, transmeton Anadolu.
Në ceremoninë e rihapjes ka marrë pjesë guvernatori i Halepit, Azzam al-Gharib, raportoi televizioni shtetëror Alikhbariah.
“Sot kemi nderin të rihapim një nga shtëpitë e Zotit, duke rikthyer Xhaminë e Madhe të Halepit pas viteve të vështira, gjatë të cilave ajo iu nënshtrua shkatërrimit”, ka thënë al-Gharib.
Ai ka thënë se xhamia, e cila daton në periudhën emevite, për shekuj me radhë ka shërbyer si qendër e dijes dhe jetës fetare në qytetin historik.
Guvernatori ka kujtuar gjithashtu rolin e xhamisë gjatë kryengritjes siriane që filloi në mars të vitit 2011, duke thënë se nga ky vend kishin nisur protestat kundër regjimit të mëparshëm.
Xhamia dhe rrethina e saj u përfshinë në luftime të ashpra mes forcave të regjimit të mëparshëm dhe fraksioneve opozitare nga viti 2012 deri në vitin 2016, duke kaluar disa herë nga njëra palë te tjetra.
Ajo doli jashtë funksionit në vitin 2013 pasi pësoi dëme të mëdha gjatë luftimeve dhe bombardimeve, përfshirë dëme në kupolë, arkadat dhe minaren historike.
Pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assadit më 8 dhjetor 2024, Drejtoria e Vakëfeve të Halepit nisi punimet e restaurimit me synimin për të ruajtur karakterin arkitekturor dhe historik të xhamisë.
Xhamia e Madhe Emevite, e njohur edhe si Xhamia e Madhe e Halepit, është një nga xhamitë më të vjetra dhe më të rëndësishme të Sirisë.
Ndërtimi i saj daton në periudhën emevite në fillim të shekullit të tetë, ndërsa shumica e burimeve historike ia atribuojnë themelimin e saj kalifit Sulejman ibn Abdulmelik.