Admir Fazlagikj
01 Maj 2017•Përditësim: 02 Maj 2017
SHKUP (АА) – Në Maqedoni sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Punës, që tradicionalisht në botë shënohet në nder dhe përkujtim të luftës së punëtorëve për avancimin e të drejtave të tyre, raporton Anadolu Agency (AA).
Organizatat sindikale paralajmërojnë një varg aktivitetesh për të shënuar këtë ditë. Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM), siç theksohet në deklaratë, sivjet do t’i afirmojnë qëllimet dhe parimet dhe do të kërkojë zbatimin e Protokollit për avancim social i cili fokusohet në zhvillimin e mëtejshëm të dialogut social, zbatimin e negocimit kolektiv në të gjitha nivelet, ngritjen e standardit të jetesës, cilësisë së jetës, rritjes së rrogave, zbatimin e “pagë të barabartë për punë të barabartë”, ratifikimin dhe implementimin e standardeve ndërkombëtare të punës, sundimin e së drejtës, eliminimin e çfarëdo diskriminimi, etj.
“LSM edhe më tej mbetet tejet e përkushtuar në luftën për vende të sigurta të punës, për forcimin e marrëdhënies së punës në kohë të pacaktuar të punës, zvogëlimin e periudhës kohore për punësim për kohë të caktuar të punës, kushte shtesë për shkuarjen në pension, lirim shtesë tatimor të kompensimit nga puna dhe fonde të sigurta sociale solidare”, theksohet në deklaratë.
Nga LSM të premten në një konferencë për mediat paralajmëruan se ditën e sotme do ta shënojnë me punë, duke vazhduar bisedimet për rritjen e rrogës minimale në vend. Marsh protestues paralajmëruan personat që kanë nënshkruar Kartën për solidaritet. Ata, siç thonë, më 1 maj do t’i ftojnë anëtarët e saj dhe punëtorët që të dërgojnë porosi deri te autoritetet që të punojnë në interes të punëtorëve.
Dita Ndërkombëtare e Punës është festë shtetërore në shumë vende të botës. Në Maqedoni nga viti 2007 si ditë jo pune është shpallur vetëm 1 maji, ndërsa deri në vitin 2006 ditë jo pune kanë qenë 1 dhe 2 maj. Dita e Punës festohet në shenjë respekti ndaj viktimave nga greva që u mbajt nga 1 deri më 4 maj të vitit 1886 në Çikago kur demonstruesit kërkuan vendosjen e orarit të punës ditore prej tetë orë. Organizatorët e grevës u nxorën para gjykatës, ndërsa katër prej tyre u ekzekutuan. Tre vite më vonë pas ngjarjeve në Çikago, në Kongresin e parë të Internacionales së parë që u mbajt në Paris në vitin 1889, është vendosur që çdo vit më 1 maj, në kujtim të punonjësve të Çikagos, të mbahen demonstrata masive.