Besar Ademi
01 Maj 2017•Përditësim: 01 Maj 2017
SHKUP (AA) – Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka pritur sot Zv/ndihmës sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç thuhet në njoftimin e Kabinetit presidencial, në takim u bisedua për situatën e re politike dhe për mundësitë për tejkalimin e saj në pajtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Maqedonisë.
Sipas njoftimit, Presidenti Ivanov dënon çdo dhunë politike dhe fizike në Republikën e Maqedonisë dhe theksoi se vetëm përmes dialogut duhet të kërkohen zgjidhjet.
Presidenti Ivanov nënvizoi se nëse ekziston lidership nga kryetarët e partive parlamentare, pengesat juridike dhe politike për caktimin e mandatit për formimin e Qeverisë janë të tejkalueshme. Presidenti i Maqedonisë kërkoi nga SHBA-të, si partner strategjik i Maqedonisë, të ndihmojë që pengesat të largohen dhe të mundësohet që shumica parlamentare ta marrë mandatin.
“Precedentët me të cilat vendoset praktikë, ndërsa jolegalja bëhet legale minojnë parimet themelore demokratike”, tha presidenti Ivanov.
Presidenti Ivanov kërkoi nga lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, që të përmbush fjalën e dhënë publikisht se “së bashku me partnerët e koalicionit do të vijnë dhe do të ofrojnë garanci për forcimin e unitarizmit të shtetit dhe se do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë."
Presidenti Ivanov u bëri thirrje qytetarëve që të mbesin të përmbajtur dhe të durueshëm, sepse sipas tij ekzistojnë zgjidhje të cilat duhet të merren në mënyrë të arsyeshme dhe përmes dialogut.
Gjatë ditës së djeshme, Hoyt Yee takoi drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvend, ndërsa i vetmi që u prononcua pas takimeve ishte lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili theksoi se kthim prapa nuk ka dhe duhet pranuar zgjedhja e kryetarit të ri, Talat Xhaferi, si dhe të mbështetet nga ato forca që kontestojnë këtë zgjedhje.