Figen Shaban
20 Mars 2018•Përditësim: 21 Mars 2018
PRISHTINË (AA) – Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës me të vetmen pikë të rendit të ditës shqyrtimi i Projekt-ligjit për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi ka filluar për të katërtën herë pas tre dështimeve, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli tha se seanca është thirrur nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ndërsa bëri të ditur se në fillim të seancës të pranishëm janë 85 deputet.
Kryeministri Haradinaj, i cili në fillim të seancës paraqiti dhe arsyetoi projektligjin për kufirin shtetëror mes Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, tha se kanë kaluar në një fazë jo të lehtë për ta adresuar një çështje të rëndësishme për shtetin duke theksuar se pas bisedimeve dhe negociatave me partnerët ndërkombëtar dhe me Malin e Zi kanë arritur që të gjejnë një formulë të pranueshme për të gjitha palët. Duke i garantuar deputetët se ratifikimi i këtij projektligji me dokumentet përcjellëse nuk e rrëzikon territorin e Kosovës, ai bëri thirrje që të gjithë deputetët të votojnë pro ligjit.
"Kemi arritur që ta ruajm të drejtën për tokën tonë, miqësinë me Malin e Zi dhe partneritetin me aleatët strategjik të Kosovës. Jam i bindur se Marrëveshja në mes të dy presidentëve (Thaçi-Vujanoviç) dhe të gjeturat e Komisionit shtetëror e plotësojnë marrëveshjën e nënshkruar në vitin 2015 dhe kjo në bazë të pakontestueshme ligjore për korrektimin e gabimeve të bëra në procesin paraprak në drejtim të Çakorrit dhe Kullës. Siç është specifikuar edhe në aneks marrëveshjen e presidentëve”, tha kryeministri Haradinaj duke shtuar se votimi i demarkacionit është edhe kërkesë e qytetarëve.
Ai tha se “vota pro këtij ligji sot më shumë se kurrë është votë për shtetin e Kosovës, është votë për perspektivën euroatlantike të vendit është votë për lirinë e lëvizjes”.
Shefi i Grupit Parlamentar të partisë opozitare Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK), tha se LDK që nga fillimi e ka mbështetur këtë marrëveshje duke ju bërë thirrje të gjithë deputetëve shqiptarë që të votojnë atë. Hoti tha se asnjë shkrojnë e kësaj marrëveshjeje nuk ka ndryshuar ndërsa sipas tij neni 7, 9 dhe 11 i marrëveshjës është konfirmim që palët mund të bëjnë korrigjime në rast se janë bërë gabime.
“Pa votën e juaj ratifikimi i kësaj marrëveshjeje varet nga Lista Serbe. Pra unë ju ftojë që të bashkohemi që të shmangim çfarëdo rreziku apo koncesioni që mund të jetë në dëm të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Glauk Konjufca ka ftuar deputetët e LVV-së që të sjellin dosjet e kuqe të peticionit me 205 mijë nënshkrime të qytetarëve të cilët janë kundër demarkacionit të mbledhura nga kjo parti. Konjufca iu drejtua kryeministrit Haradinaj duke kërkuar që mos t'ua kthen shpinën këtyre qytetarëve. Ai përsëriti qëndrimin e partisë së tij se Komisioni i mëparshëm shtetëror për Shënjimin e Kufirit bëri gabime dhe shkaktoi dëme ku Kosova humbi territor.
Duke iu bërë thirrje deputetëve të votojnë sipas bindjeve të tyre dhe jo sipas interesave të autoriteteve, Konjufca tha se:
"Qëndrimi se “njëherë ta votojmë këtë marrëveshje e pastaj e ndryshojmë” është tallje me qytetarët, me shtetin dhe me sovranitetin e vendit. A më thuani një shtet i cili me dorën e vetë ka dhënë territor dhe pastaj e ka kthyer atë territor me lutje apo me deklarata politike. Ju ftojë të mos bëheni kaq naivë ".
Marrëveshja e demarkacionit të kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është nënshkruar më 26 gusht të vitit 2015 në Vjenë ndërmjet dy shteteve dhe është miratuar nga pala malazeze, mirëpo nuk është miratuar ende nga Kuvendi i Kosovës. Ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi përveç luftës kundër korrupsionit është kushti për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, duhet të arrihen 2/3 e shumicës së Kuvendit, që nënkupton 80 vota nga gjithsej 120 deputetë sa i ka Kuvendi i Kosovës.
Kujtojmë se koalicioni qeverisës ka 61 vota, ndërsa Lëvizja "Vetëvendosje" ka 20 deputetë dhe "Lista Serbe" dhjetë, kështu që pa votat e dy partive në fjalë nuk mund të kalojë marrëveshja për demarkacionin.
Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës është thirrur me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar ndryshimet dhe plotësimet e projekt ligjit për demarkacion në pajtim me aneks-marrëveshjen e presidentit të Kosovës dhe Malit të Zi që parasheh mundësinë e korrigjimit të marrëveshjes paraprake në rast se në drejtim të Çakorit dhe Kullës janë bërë gabime.
Pjesë e këtij projektligji janë Marrëveshja për kufirin shtetëror Kosovë-Mal të Zi e datës 26 gusht 2015, dokumentacioni zyrtar i Komisionit shtetëror për shënimin e kufirit shtetëror si dhe deklarata e presidentit të Kosovës dhe të Malit të zi, Hashim Thaçi dhe Filip Vujanovic e datës 16 shkurt 2018.
Ndryshe Kuvendi ka mbajtur deri më tani tri seanca për Demarkacionin por këto seanca kishin dështuar pasi që qeveria nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta votuar.
Kundër demarkacionit janë Lista Serbe, deputetët e partisë opozitare "Lëvizja Vetëvendosje" si dhe 12 deputetët e larguar nga LVV të cilët kanë formuar Grupin e Deputetëve të Pavarur (GDP).