BALLKANI

Kosova shënon 11 vjetorin e pavarësisë

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane përfshirë edhe Turqinë e njohën menjëherë. Sot 116 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur

16.02.2019 - Përdıtësım : 17.02.2019
Kosova shënon 11 vjetorin e pavarësisë

Shkup

SHKUP (AA) - CIHAD ALIU

Kosova, "Shteti më i ri i Evropës", e cila më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë nga Serbia feston 11 vjetorin e mëvetësimit, shkruan Anadolu Agency (AA).

Kosova e cila ka lënë pas luftën dhe përleshjet e armatosura në fund të viteve 90-ta, është duke u ballafaquar me probleme gjatë formimit të saj në mënyrë të plotë si shtet.

Ajo po përballet me pengesa të ndryshme në anëtarësimin në institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara (OKB). Vendi kohë pas kohe përjeton momente të tensionuara me Serbinë ndërsa procesi i dialogut vazhdon me ndërprerje.

- Procesi i pavarësisë së Kosovës

Gjatë periudhës së Jugosllavisë, Kosova ishte rajon brenda Republikës Federale Serbe. Edhe pse kushtetuta jugosllave i dha Kosovës autonomi në vitin 1974, ajo u shfuqizua nga presidenti nacionalist serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1989.

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta e përgjakshme e cila në fillim shpërtheu në Kroaci, pastaj në Bosnjë e Hercegovinë, më pas u përhap edhe në Kosovë.

Operacioni i ushtrisë, policisë dhe njësive paramilitare serbe në vitin 1998 ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) e cila kërkonte pavarësi, mori fund në vitin 1999, pas operacionit 78 ditor të NATO-s. Lufta la të vdekur mbi dhjetë mijë kosovarë, nga të cilët mbi tetë mijë ishin shqiptarë, ndërkohë që mbi një milion kosovarë të grupeve të ndryshme etnike, nga të cilët 800 mijë shqiptarë, braktisën shtëpitë.

Tensionet mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan me intervale që nga periudha e luftës në Kosovë.

Kriza e parë e përmasave më të mëdha pas luftës ndodhi në vitin 2004. Gjatë këtyre ngjarjeve, që u quajtën si "Trazirat e Marsit", 19 persona humbën jetën, nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, kurse qindra të tjerë u plagosën.

Në raportin e vitit 2005 nga Kai Eide, diplomati norvegjez i emëruar si Përfaqësues Special në Kosovë nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të OKB-së, Kofi Annan, u rekomandua fillimi i negociatave për statusin përfundimtar të Kosovës.

Në vitin 2005, Annan e emëroi Martti Ahtisaarin si Përfaqësues Special në Kosovë. Në vitin 2007, Ahtisari i prezantoi Këshillit të Sigurimit të OKB-së raportin në të cilin thuhej se Kosova duhet të jetë e pavarur. Nga ana tjetër, Serbia e refuzoi këtë, duke rekomanduar "autonomi të mbikëqyrur".

Në linjë me Planin e Ahtisarit dhe Rezolutën 1244 të OKB-së, më 17 shkur të vitit 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Pavarësinë e Kosovës, shumë shtete evropiane përfshirë edhe Turqinë e njohën menjëherë. Sot 116 shtete e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Ndërsa me bllokimin e Rusisë, mbështetësja më e madhe e Serbisë në arenën ndërkombëtare, Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së.

- Procesi i dialogut me Serbinë dhe tensionet e vitit të kaluar

Në vitin 2011, filloi procesi i dialogut me qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, ky proces është ndërprerë veçanërisht për shkak të tensioneve në muajt e parë të tre viteve të fundit.

Viti 2018 filloi me tensione kur lideri serb i nismës qytetare në Kosovë, “Serbi, Demokraci, Drejtësi” Oliver Ivanoviç më 16 janar u vra në një atentat në veri të Mitrovicës, para zyrës së tij. Takimi i cili planifikohej në atë datë në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, ishte anuluar me tërheqjen e palës serbe.

Një tjetër çështje e rëndësishme për Kosovën, e cila kohë pas kohe zyrtarët e BE-së parashtronin si një ndër parakushtet që Kosova të fitojë liberalizimin e vizave, ishte marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Kjo çështje e rëndësishme ishte marrë në Kuvend më 21 mars 2018, por e ndërprerë për një kohë pasi deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës, por më pas me votën e 80 deputetëve marrëveshja ishte ratifikuar.

Një tension tjetër mes Kosovës dhe Serbisë, ndodhi pas arrestimit të shefit të të ashtuquajturës Zyra për Kosovën, Marko Gjuriç, për të cilin autoritetet kosovare nuk kishin dhënë leje për hyrjen e tij në Kosovë më 26 mars. Pasi atë e dërguan në stacionin e policisë në Prishtinë, e larguan nga territori i vendit.

Ndërsa në fillim të muajit shtator në kuadër të mbledhjes së procesit të dialogut në Bruksel, pritej takimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini. Por, takimi nuk u realizua pasi Vuçiç refuzoi të takohet, duke theksuar se janë shumë larg pajtimit.

Pas kthimit nga Brukseli, presidenti serb Vuçiç më 8 dhe 9 shtator planifikohej të vizitojë Kosovën. Ai kishte deklaruar se do të vizitojë Liqenin e Ujmanit, me rëndësi strategjike që shkakton tensione kohë pas kohe mes dy vendeve. Por, autoritetet kosovare së pari njoftuan se nuk do të lejojnë këtë vizitë, por më pas ministri i Jashtëm Pacolli, deklaroi se është dhënë leja pas një "presioni të aleatëve të Bashkimit Evropian", duke theksuar se “Nuk kemi patur tjetër zgjidhje”. Me këtë është pranadaluar një krizë e re mes dy shteteve fqinje.

Gjithashtu edhe presidenti Thaçi, pas një kohe kishte vizituar Liqenin e Ujmanit, hap i cili ishte komentuar si kundërpërgjigje ndaj homologut të tij serb.

- Serbia pengoi anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL

Në votimin e Asamblesë së 87-të të Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Policisë (INTERPOL) mbi anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë në qytetin Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe më 20 nëntor, nuk u arrit numri i duhur i votave për t’u anëtarësuar, respektivisht dy të tretat e votave të vendeve anëtare në INTERPOL.

Qeveria e Republikës së Kosovës, pas votimit me anë të një deklarate me shkrim kishte shprehur zhgënjimin e saj të thellë.

“Fushata e egër e Republikës së Serbisë dëshmoi edhe njëherë karakterin e saj kundër Kosovës dhe kundër idesë për normalizim të raporteve me Republikën e Kosovës, aq më parë, kur ky anëtarësim ishte teknik dhe jo politik”, thuhet më tej në njoftim.

Ndërsa Vuçiç nga ana e tij kishte deklaruar se: "Ky është suksesi i një vendi të vogël që nuk duhet ta bazojë suksesin e vet në kundërshtime dhe inate, por në një qasje racionale, të mendojë për kompromis dhe përparim ekonomik dhe kjo mundësi nuk duhet të përdoret për të poshtëruar dhe degraduar anën e Prishtinës”.

- Kriza me taksën ndaj Serbisë

Derisa tensioni me INTERPOL-in ruante "freskinë", ditën e ardhshme Qeveria e Kosovës miratoi propozimin e ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala për të vendosur taksa prej 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Pas mbledhjes së Qeverisë, në një konferencë për media kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se Kosova ka bërë një analizë të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe se kanë parë që me vite të tëra se Serbia nuk e ka respektuar atë.

Ai më tej shtoi se kjo është një masë legjitime që e kanë marrë institucionet e Kosovës dhe se nuk është marrë “prej qejfit”, por “prej zorit”. “Këto veprime që i kemi marrë janë në mbrojtje të interesit të qytetarit të Kosovës", kishte theksuar kryeministri i Kosovës.

Haradinaj tha se Serbia nuk po tregon mirëkuptim për normalizim, por që përkundrazi qasja e saj është kundër normalizimit. “Mendoj që dialogu është i pashmangshëm, nuk mund të ikim prej dialogut, duhet të ketë dialog mirëpo edhe mbrojtja e interesit tonë është e pashmangshme", kishte thënë ai.

Ai gjithashtu njoftoi se derisa nuk ka njohje të Kosovës nga ana e Serbisë, nuk do të heqin dorë nga vendimi për taksat.

Gjithashtu edhe Vuçiç pas një takimi me të gjithë anëtarët e qeverisë serbe, kishte reaguar ndaj vendimit të Kosovës për taksat.

"Pas këtij fjalimi ka forca tjera të mëdha. Ai nuk mund të ketë pasur këtë kurajë. Me siguri ka lexuar letrën që i është dhënë, por askush nuk e mori me seriozitet. Duhet të jemi të gatshëm për një përpjekje të gjatë dhe të lodhshme, sepse nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës", ishte reagimi i Vuçiçit në lidhje me fjalët e Haradinaj se nuk do t'i heqin taksat deri në njohjen e vendit të tij nga Serbia.

Edhe pse BE-ja dhe SHBA-të kërkojnë që taksta të hiqet, Kosova ende vazhdon të injorojë këto thirrje.

- Themelimi i ushtrisë së Kosovës

Kuvendi i Kosovës me shumicë absolute më 14 dhjetor miratoi tre projektligjet për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

Në seancën e Kuvendit, deputetët votuan për projekligjet për formimin e Ministrisë së Mbrojtjes, për transformimin e FSK-së në ushtri dhe për shërbim në FSK. Në seancë morën pjesë 107 deputetë, pa praninë e deputetëve serbë.

Serbia reagoi ndaj këtij vendimi, por BE dhe SHBA kishin theksuar për një transformim gradual.

- Presidenti rus Putin deklarata për Kosovën

Çështja e Kosovës vazhdon të mbetet një nga temat kryesore edhe në vitin e ri.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, në konferencën e përbashkët për media me presidentin serb Vuçiç më 17 janar, gjatë vizitës së tij në Serbi, në lidhje me formimin e ushtrisë së Kosovës dhe taksën prej 100 për qind ndaj Serbisë, kishte thënë se "Hapat e papërgjegjshme të Kosovës mund të shkaktojnë destabilizimin e Ballkanit".

Ai duke folur për dialogun mes Serbisë dhe Kosovës, tha se kërkojnë një zgjidhje ideale mes Prishtinës dhe Beogradit, por BE-ja nuk përmbush rolin e ndërmjetësit në procesin e dialogut.

Mundësia për një zgjidhje përfundimtare mes Serbisë dhe Kosovës në vitin 2019 vlerësohet të jetë e dobët, por me kuriozitet pritet se çfarë do të sjellë viti i ri i cili filloi më qetë në krahasim me vitet e kaluara.

Në Kosovë, shtet me kryeqytet Prishtinën dhe me 1 milionë e 780 mijë banorë, shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët, ndërsa jetojnë edhe grupe të tjera pakicë, siç janë turqit, boshnjakët, serbët, goranët, romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët. Turqit, që më të dendur janë në Mamushë dhe Prizren, përbëjnë 1.1 për qind të popullatës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın