BALLKANI

Japonia do të hapë ambasadë në Kosovë

Ministrja japoneze Abe ka sjellë 30 rrënjë të qershisë japoneze në shenjë miqësie në mes Kosovës dhe Japonisë

Zülfiya Yakup  | 21.02.2019 - Përdıtësım : 22.02.2019
Japonia do të hapë ambasadë në Kosovë ( Erkin Keçi - Anadolu Agency )

Prishtinë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit në Prishtinë me ministren e Shtetit për Punë të Jashtme të Japonisë, Toshiko Abe, ka bërë të ditur se Japonia do të hapë Ambasadën e saj në Kosovë vitin e ardhshëm, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Hapja e ambasadës japoneze në Kosovë në vitin 2020 do t’i jap impuls të ri miqësisë dhe partneritetit tonë. Japonia, si mbështetëse e madhe dhe e gjithanshme e Kosovës në rrafshin ekonomik dhe politik, mbetet partner i rëndësishëm në konsolidimin tonë ndërkombëtar", shkroi Haradinaj në rrjetet sociale.

Kabineti i kryeministrit Haradinaj thekson se bashkëbiseduesit diskutuan për ngjarjet aktuale në Kosovë, konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë, si dhe planet për të hapur ambasadën japoneze në Kosovë me rastin e 10-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

"Kosova është falënderuese ndaj Japonisë për ndihmën e madhe që ia ka dhënë vendit në fusha me rëndësi jetike duke qenë një ndër donatorët kryesorë dhe për këtë u jemi mirënjohës", tha Haradinaj.

Ministrja Abe theksoi se Japonia mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në të gjitha fushat dhe se ajo është e hapur që partneriteti mes dy vendeve të jetë më dinamik në të ardhmen.

Ndërkohë, Abe së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Jashtëm, Behgjet Pacolli dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, mbollën një pemë të qershisë japoneze në oborrin ku ndodhen ministritë e Qeverisë së Kosovës.

- "Shpresoj se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Japonisë rriten me shpejtësi"

Me këtë rast Abe tha se pema e qershisë japoneze simbolizon miqësinë midis Kosovës dhe Japonisë.

"Sot, së bashku me Shoqatën e Qershive Japoneze, ne do të mbjellim 30 rrënjë qershie japoneze në shenjë respekti. Qershitë japoneze njihen për rritje të shpejtë dhe shpresoj se edhe marrëdhëniet midis Kosovës dhe Japonisë do të rriten me shpejtësi", tha Abe.

Pacolli tha se Kosova është e nderuar me vizitën e parë nga një ministër japonez, sepse Japonia është një nga miqtë më aktivë të Kosovës.

"Japonia gjithmonë ka ndihmuar Kosovën në të gjitha mënyrat në fushën e diplomacisë, gjithnjë me qëllim të fuqizimit të shtetit të Kosovës. Japonia ndihmoi Kosovën ekonomikisht dhe vazhdon ta ndihmojë", ka thënë Pacolli, duke porositur ministren Abe se Kosova është familja e saj dhe të mos e harrojë Kosovën.

- "Japonia ka dëshmuar se është një nga miqtë tanë më të mëdhenj në botë"

Kreu i Komunës së Prishtinës, Ahmeti falënderoi ministren japoneze dhe vendin e saj në ndihmën ndaj Kosovës, duke filluar nga dixhitalizimi i RTK-së pas luftës, deri në trajnimin e punonjësve civilë të Kosovës që për vite ishin dërguar në Japoni. Ahmeti gjithashtu përshëndeti vendimin për hapjen e Ambasadës së Japonisë në Kosovë.

"Jo vetëm këto pemë, me ndihmën e saj të vazhdueshme dhe me vendime të tilla, Japonia ka dëshmuar se është një nga miqtë tanë më të mëdhenj në botë. Ndër të parët na ka njohur pavarësinë, gjithmonë me zë pozitiv kudo që kemi kërkuar për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe ka qenë gjithmonë pranë nesh, me ndihmë dhe këshilla", tha Ahmeti.

Pacolli dhe Abe gjithashtu nënshkruan një marrëveshje për bashkëpunim midis dy vendeve.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın